KUVENDI-PA-OPOZITEN

Kuvendi pritet të votojë në seancën e sotme plenare dekretet e Presidentit për emërimin e 4 ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Deputetët e maxhorancës pritet të miratojnë sot emërimin e Fatmir Xhafajt në postin e ministrit të Brendshëm, të Ogerta Manastirliut në postin e ministrit të Shëndetësisë, të Eduard Shalsit në atë të ministrit të Çështjeve Vendore, dhe të Olta Xhackës në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur zëra të ndryshëm lidhur me qëndrimin që do të mbajë LSI ndaj kandidaturës së Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Pavarësisht tensionimeve më të hershme mes Metës dhe Xhafës, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Meta është shprehur “Ne jemi të gatshëm për të bërë çdo gjë ligjore, institucionale, politike për të zhdukur njollën e zgjedhjeve të pandershëm dhe të paligjshme. Ne nuk jemi forcë që aplikojmë gjuhën e ultimatumeve, që shfrytëzojmë dialogun. Nuk jemi pjesë e politikës së atyre që bëjnë deklarata të tipit: të kalojë mbi trupin e këtij, apo atij”, duke lënë të kuptohet se LSI është e gatshme të dialogojë për hir të gjetjes së zgjidhjeve.

Krahas dekreteve të Presidentit për katër ministrat e rinj, seanca do të votojë dhe dekretet e shkarkimit të katër ministrave që lënë detyrën: Saimir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm; Ilir Beqaj nga ai i Shëndetësisë; Bledi Çuçi nga posti i ministrit të Cështjeve Vendore, dhe Blendi Klosi nga minister i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Seanca e sotme do të zhvillohet sërish pa opozitën, e cila prej më shumë se një muaji vijon të bojkotojë Parlamentin duke mos u tërhequr nga kërkesa e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që sipas saj do të mbahen nga një qeveri teknike.