Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur në Kuvend mbi kushtet e reja të vendosura nga Bundestagu gjerman, në kuadër të marrjes së vendimit për çeljen e kushtëzuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se BE-ja nuk është gati të pranojë nisjen e bisedimeve me Shqipërinë, pasi ndodhet tashmë në një pozitë jo të mirë për shkak të konflikteve të brendshme lidhur me politikën e zgjerimit.

“Sot që flasim asnjë nga vendet që janë pjesë e BE-së nuk do të mund të ishin pjesë e Unionit, pasi BE nuk e ka tashmë mendjen te zgjerimi me vende të reja. Debati mes Francës dhe Gjermanisë, mes atyre që predikojnë zgjerimin dhe atyre që predikojnë të kundërtën, nuk lidhet me argumentat e përdorura këtu për politikë të brendshme.

Nëse duam të flasim dhe të kuptojmë, të paktën në këtë çështje është shumë e rëndësishme që të mos bëjmë politikën mizerabël të ditës. Shqipëria sot është shumë më lart se të gjitha vendet që kanë qenë duke hapur negociatat, dhe që sot janë anëtarë në BE. Janë shtuar shumë kushtet dhe pritshmëritë për vendet që aderojnë të jenë pjesë e BE-së.”- tha Rama.

Shefi i ekzekutivit shtoi se është e pakuptimtë që të shtohen çdo vit kushte të reja, ndërsa e shpjegoi diferencimin e vendit nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se ky vend ka një kohë të gjatë që pret për hapjen e negociatave.

“Kishim tre kushte, dhe ai Këshill Europia para një viti tha që të plotësojmë ato të treja që të na hapeshin negociatat, ne i plotësuam, tashmë thotë që plotësoni dhe këto të tjerat, çfarë do me thënë kjo?! Do të thotë që ata nuk janë gati, mos u bëni qesharakë, nga ana tjetër me kë është larg Shqipëria, me Maqedoninë e Veriut?!

Maqedonia shihet me të drejtë me sy më pak kritik, po a edini sa kohë ka që pret që t’i hapen negociatat?! Duhet t’i kishte hapur shumë shumë vite më parë.”- deklaroi Rama.