donald-lu_2
Brenda dhjetë ditëve në Shqipëri janë arrestuar dy prokurorë. Akuza është e njëjtë për të dy; korrupsioni. Edhe Petrit Vukaj në Fier edhe Haxhi Giu që u kap sot në Tiranë, kishin marrë para për të favorizuar të arrestuar që ndodhen prapa hekurave. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që brenda një kohe kaq të shkurtër të çoheshin prapra hekurave dy prokurorë, të cilët kanë vite në sistemin e drejtësisë.

Në këtë moment çdokush ka të drejtë të ngrejë disa pikëpyetje? Pse tani kjo valë arrestimesh? Kush qëndron pas këtyre mandat-arresteve? A janë këta prokurorët më të korruptuar në sistemin e drejtësisë? Mos kemi të bëjmë me një fasadë sikur këtu po luftohet korrupsioni?

Në mënyrë të përsëritur disa herë në publik, kryeprokurori Adriatik Llalla ka folur për arrestime në radhët e zyrtarëve të lartë, por deri më tani s’ka pasur të tillë apo më mirë le të themi s’ka pasur arrestime të bujshme.

Gjithnjë janë goditur “peshq të vegjël”. Me sa duket të tillë janë edhe prokurorët e arrestuar rishtaz. Pasi ambasadori amerikan Donald Lu nisi të flasë hapur me emra edhe mbiemra për personat e inkriminuar që i kanë shpëtuar drejtësisë, duket se kjo e fundit është vënë në lëvizje për të pastruar vetveten, por rastet e dy prokurorëve të arrestuar së fundmi ngjajnë më shumë të jenë një fasadë.

E tillë duket se është edhe ngutja e policisë për të shpërndarë në media pamjet e arrestimit tësotëm të prokurorit të Krujës, Haxhi Giu.

Në prag të miratimit të reformës në drejtësi vërehet një presion i shtuar i ndërkombëtarëve për të krijuar një klimë të rëndë kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, madje ka pasur edhe propozime për shkarkim të tyre në bllok.

Nga ana tjetër po pikërisht tani shohim Prokurorinë, që ka nisur të veprojë me arrestime të njerëzve të gjyqësorit. Ndoshta strategjia është e tillë: për të shpëtuar shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që janë në krye të sistemit të drejtësisë, duhen sakrifikuar disa “peshq të vegjël”.

Kështu krijohet edhe në publik iluzioni se po luftohet korrupsioni në drejtësi. Mbetet për t’u parë se kush do të jetë arrestimi i radhës.