Edi-Rama-reforma

Kryeministri Edi Rama ka shtruar pyetjen “Kush gënjen?” në Facebook, pasi ka postuar një lajm që tregon se qëndrimi i CDU-së kancelares Angela Merkel këshillon opozitën të ndërpresë bojkotin dhe të marrë pjesë në zgjedhje, ndryshe nga deklaratat e kryedemokratit Basha, se protesta dhe kërkesat e saj kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe Europës.

Teksa shkruan “kush gënjen?”, Kryeministri duket se ka zgjedhur të lexojë vetëm gjysmën e letrës së nisur nga një zyrtar i lartë i partisë së Merkel.

Në letrën që i është nisur Bashës, zv.kryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, fillimisht shkruan se CDU është tejet e shqetësuar për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi dyshon se ato mund të falsifikohen dhe më pas vjen këshilla e tyre që opozita të mos i bojkotojë zgjedhjet. Por kjo pjesë Kryeministrit duket se nuk i ka bërë përshtypje, përderisa kur pyet se kush gënjen, ndër mend i vijnë vetëm deklaratat e Lulzim Bashës.

Në qoftë se Rama e merr të mirëqënë këtë letër të Partisë së Merkel, duhet të kujtojë se edhe deklaratat e tij se zgjedhjet nuk do të vidhen dhe se këto prentendime të opozitës janë alibia më e mirë për t’iu shmangur humbjes ndaj “qeverisë reformatore”, CDU-ja nuk i merr aq seriozisht, apo si të vërteta, duke e futur edhe Ramën kështu në cirkun e “gënjështarëve”.

Prej kohësh opozita akuzon Kryeministrin Edi Rama se po tenton të manipulojë zgjedhjet dhe të përdorë krimin dhe paratë e drogës në favor të tij. Për këtë arsye opozita prej 38 ditësh është në shesh, ku ka ngritur një çadër në formë proteste. “Frikës” për sigurinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të 18 Qershorit iu bashkuan edhe ministra të LSI-së, të cilët, edhe pse në koalicion me PS-në, ngritën shqetësimin se policia është instruktuar dhe do vihet në shërbim të Partisë Socialiste, duke rrezikuar kështu vjedhjen e votave të LSI-së. Deklarata këto që ngritën diskutimin mbi legjitimitetin e zgjedhjeve, dhe legjitimuan më shumë kërkesat dhe “frikën” e opozitës, se votimi do të manipulohet.