burgu-fier
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, udhëroi dje prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdari, të verifikojë pretendimet e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, për tentativa me prapavijë politike për të detyruar Kastriot Ismailajn që të dëshmojë kundër Ilir Metës në çështjen DIA – CEZ.

Në përmbajtjen e letrës, që lapsi.al publikoi dy ditë më parë, Braho shpreh shqetësimin se disa persona i kanë shkuar në burgun e Fierit Kastriot Ismailajt dhe i kanë kërkuar të japë dëshmi kundër Metës. I kanë premtuar të bëhet dëshmitar i mbrojtur që të përfitojë ulje dënimi dhe i kanë ofruar garanci për familjen.

Në urdhërin e Llallës kërkohet verifikimi i regjistrit të hyrje – daljeve të burgut të Fierit. Në këtë mënyrë do të shihet se kush janë personat që e kanë takuar Ismailajn gjatë kësaj kohe. Nuk përjashtohet mundësia që disa prej tyre të merren në pyetje.

Por ka dyshime se mesazhet Ismailajt mund t’i jenë dhënë edhe nga njerëz brenda burgut. Gjithësesi regjistri i takimeve do të jetë tashmë nën lupën e prokurorisë.

Braho pretendon se këta persona janë angazhuar nga Tom Doshi e Dritan Prifti. Si lidhje të tyre me këtë skenar ai përmend edhe një takim të zhvilluar të mërkurën e kaluar në hotel Sheraton mes Tom Doshit dhe Vosjava Ismailajt, bashkëshorten e Kastriot Ismailajt. Takimi nuk është mohuar nga asnjëri prej tyre dhe reagimi i tyre ngjante i sinkronizuar: “njihemi prej 15 vjetësh. Ishte takim normal. Nuk folëm për Kastriotin”. Për këtë arsye në pyetje pritet të merret edhe bashkëshortja e Ismailajt, si personi që mund t’i ketë dërguar mesazhet bashkëshortit.

Braho shkruan në letrën e tij se qëllimi i Tom Doshit e Dritan Priftit është goditja e Ilir Metës me histori të trilluara. Ky skenar – paralajmëron Braho – mund të çojë në destabilizimin e vendit. Ndaj ai ka kërkuar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Kryeprokurori, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtori i SHISH që të ndërhyjnë.

Ky skenar e ka shqetësuar jo pak Ilir Metën, i cili sheh të goditet për herë të dytë brenda vitit nga Tom Doshi e Dritan Prifti. Për këtë arsye ai zhvilloi një takim kokë më kokë për 50 minuta me Presidentin e Republikës. Ndryshe nga hera e parë në rastin “Bami” ai preferoi ta ndante shqetësimin me Kreun e Shtetit dhe jo me Kryeministrin apo Ministrin e Brendshëm, si për t’u dëshmuar atyre se nuk janë më të besueshëm.