1247290505

Kuçovë-Tre të mushuara kanë humbur jetën në Kuçove pasi janë asfiksuar nga gazi teksa ishin duke u ngrohur, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rendë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në fshatin Polovinë.

Sipas policisë gratë që kanë humbur jetën, Rafije Yzaj 80-vjeç, Ryzbie Toskaj  60 vjeç, F.Selenica 63 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë ndodhet gruaja Mine Dyrme.

Banorët e zonës thonë se në banesë jetonin vetëm dy gra, por festat e fundvitit i kanë bashkuar dhe mendohet se gratë janë të afërme me njëra-tjetrën.

Sipas informacioneve familja ku humbën jetën 3 gratë merrte gaz direkt nga pusi i naftës dhe pajisja e gazit ishte lënë ndezur gjatë gjithë natës për ngrohje për shkak të temperaturave shumë të ulëta.

Kanë qenë banorë të lagjes të cilët janë alarmuar pasi në banesë nuk po shikonin më gratë dhe që prej mëngjesit të sotmë ato nuk i kishin parë në oborrin e shtëpisë si zakonisht. Banorët menjëhërë kanë kërkuar ndihmën e organeve të policsë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur policia dhe urgjenca e qytetit të Kuçovës, por pa mundur për ti dhënë nidihmën. E vetmja që mundi t’i jepej ndihma ishte një grua e katër, e cila u dërgua në spitalin e Beratit, por që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësorë.

Policia ka nisur menjëherë procedurat për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.