Ish-Presidenti-Rexhep-Meidani-dhe-kreu-i-PS-Edi-Rama
Ish –presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, ish –anëtar i Këshillit të të Urtëve në PS, bën përgjegjës Edi Ramën për afrimin e pesonave me të shkuar kriminale në Partinë Socialiste dhe në parlament. “Rama është përgjegjës që u bëmë gazi i botës dhe për këtë arsye duhet t’u kërkojë falje qytetarëve dhe anëtarësisë së PS –së”, thotë ai në një intervistë për gazetën Panorama.

Sipas Mejdanit, me përfshirjen e individëve me të shkuar kriminale, Rama ka njollosur jo vetëm emrin dhe historinë e grupit parlamentar socialist, por edhe parlamentit shqiptar. Për shkak të kësaj situate – thotë Meidani – duhen bërë zgjedhje të reja parlamentare dhe lokale, të përgjithshme ose pjesore.

Kjo situatë – thotë Medani – ka ardhur nga fakti se me Ramën në krye Partia Socialiste, nga parti liberale është shndërruar në një parti klienteliste, ku forumet kolegjiale e anëtarësia kanë shumë pak rol në përzgjedhjen e kandidatëve të saj.

Meidani lëshon kritika të forta edhe për e-mailin që kryeministri u dërgonte ministrave, duke i quajtur ata arrogant. Ai thotë se përmbajtja e e-mailit është “një pasqyrë mospërfilljeje, një fyerje dinjiteti për anëtarët e kabinetit që, ndoshta, më tej transmetohet nëpërmjet tyre më poshtë”.

Përsa i përket operacionit të qeverisë kundër evazionit fiskal, ish –presidenti thotë se ai nuk mund të paralelizohet me aksionin kundër atyre që vidhnin energjinë. “Me biznesin –thotë Mejdani – duhet patur kujdes, sepse krijon të ardhura për buxhetin e shtetit dhe hap vende pune”. Ai shpreh shqetësim edhe për mosrealizimin e të ardhurave në buxhet, duke thënë se “mbledhja e tyre është larg planit, diku për paqartësi konceptore, duku për paaftësi individuale dhe diku për evasion e mitmarrje”.