KQZ konfirmoi se kishte marrë informacion për pesë kërkesa bazuar mbi ligjin e dekriminalizimit. Në dy prej informacioneve kërkohet heqja e mandatit të deputetit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën, dy të tjera janë për ish-deputetë, ndërsa ka rezultuar i pastër kryebashkiaku i Pogradecit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se ka marrë nga Prokuroria e Përgjithsme kërkesën për të hequr mandatet e deputetit të PDIU Aqif Rakipi dhe atij të LSI Gledion Rehovica.

Kreu i KQZ Klement Zguri i tha BIRN se zyra për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i kishte dërguar informacion për pesë zyrtarë të zgjedhur, verifikimit për të cilit kishte nisur në fillim të këtij viti.

Zguri tha se kishte kërkesë për heqjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën.

Deputeti Rakipi i tha BIRN se “nuk dinte për çfarë bëhej fjalë” [kërkesën e prokurorisë], ndërsa shtoi se “Nuk e dinte me çfarë motivi e kërkonte [prokuroria]”. BIRN nuk arriti të kontaktonte me deputetin e LSI Rehovica.

Po ashtu as Aqif Rakipi, as Gledion Rehovica, nuk deklarojnë probleme në formularët e vetëdeklarimit.

Zguri i tha BIRN se KQZ nuk kishte pasur kohë “të shihte detajet” e informacionit dhe bëri me dije se për këtë do të kishte një mbledhje mëngjesin e të mërkurës.

“Dy prej tyre janë ish-deputetë, kështu që nuk preken nga ligji, ndërsa dy të tjerë po”, tha Zguri për BIRN, ndërsa konfirmoi edhe emrat. Ai tha se bëhej fjalë për një kërkesë për informacion të nisur muaj më parë, ku përfshiheshin Mhill Fufi dhe Omer Mamo, të cilët ishin deputetë në legjislaturën e fundit, por që nuk preken nga ligji pasi nuk u rizgjodhën, dhe Rehovica e Rakipi për të cilët është kërkuar heqja e mandatit.

Në të njëjtën kërkesë sipas Zgurit ishte edhe kryetari i bashkisë së Pogradecit që sipas informacionit nga prokuroria ka rezultuar i pastër dhe nuk preket nga ligji.

Burime nga prokuroria po ashtu konfirmuan për BIRN kërkesën. Ata thanë se për dy deputetët, ishte dërguar një kërkesë për heqjen e mandatit sëfundmi, pasi janë gjetur mospërpudhje mes vetëdeklarimit dhe asaj që prokuroria ka gjetur në verifikimet e saj.

Kërkesa për verifikime të të shkuarës së deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, u përsërit nga PD në tetor të këtij viti. PD e cilëson Rakipi një mik të kryeministrit, ndërsa fajësoi këtë të fundit se po i jepte mbrojtje pasi u akuzua se shkaktoi një aksident me vdekje dhe braktisi vendin e ngjarjes në gusht të këtij viti.

Pas kësaj kërkesë të dytë, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, njoftoi për një takim me kryeministrin Edi Rama, në të cilin sipas prokurorisë ishte biseduar lidhur me verifikimin e thelluar në “kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Aqif Rakipi”.

I kontaktuar nga BIRN Rakipi tha se nuk kishte informacion, ndërsa shtoi se nuk kishte dënime. “As kam bo gjo ndonjiherë, as të kem ndonjë dënim asgjo”, tha ai. Rehovica po ashtu më herët i ka mohuar akuzat, por ai nuk qe e mundur të kontaktohej.

Ligji për dekriminalizimin u miratua në fillim të vitit 2016, pas një fushata gati dy vjeçare të Partisë Demokratike, që akuzoi shumicën se kishte përfshirë në listat për deputetë e kryetar bashkish persona me të shkuar kriminale. Dy depuetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, e ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, humbën mandatet pas verifikimeve që filluan me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Ndërkohë dy deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Armando Prenga dhanë dorëheqjen.

Për disa zyrtarë të tjerë për të cilët u kërkua heqja e mandatit, KQZ vendosi mes debateve se nuk kishte arsye të mjaftueshme për tu hequr mandatin.