Shqipëria ka fituar katër vende në raportin e konkurrueshmërisë globale 2018 të Forumit Ekonomik Botëror, i cili këtë vit vjen ndryshe, me një metodologji tjetër. Ky raport është një ndër dy më të rëndësishmit në nivel global, së bashku me “lehtësinë e të bërit biznes” të Bankës Botërore.

Raporti është mjaft i zgjeruar dhe analizon ecurinë e secilës prej 140 ekonomive të ekzaminuara, në bazë të faktorëve të ndryshëm që përcaktojnë edhe nivelin e konkurrueshmërisë së atij vendi.

Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 76-të në botë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi kanë një performancë më të mirë, ndërsa Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina janë më pas në renditje.

Vitin e kaluar, Shqipëria i linte pas të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Serbinë. Me raportin e këtij viti, përmirësimi në harkun e katër viteve të fundit është i ndjeshëm.

Duke qenë se këtë vit raporti vjen me një ndryshim rrënjësor të metodologjisë, krahasimi me vitet e mëparshme do të ishte i kotë. Indeksi bazohet mbi 98 nën-indikatorë në 12 shtylla të ndryshme, dhe në secilin prej tyre matet performanca e një prej 140 ekonomive në krahasim me performuesin më të mirë.

Raporti Global i Konkurrueshmërisë është kartolina e secilit vend në sytë e të tjerëve, e sidomos në sytë e investitorëve të huaj, duke qenë se është raporti më prestigjioz në drejtim të ecurisë së një vendi, në thuajse çdo fushë, dhe ku krahasimi me vendet e tjera është mëse i mundshëm.

Performancën më të mirë ndër 12 shtyllat, Shqipëria e ka në atë të tregut të punës, ku renditet e 34-ta në botë, duke pasur një pikëzim më të lartë se mesatarja europiane apo e Amerikës së Veriut.

I vetmi indikator tjetër që e sheh Shqipërinë mbi mesataren e kontinentit dhe atë të grupit të vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta është ai i dinamizmit të biznesit, në të cilin Shqipëria renditet në vendin e 48-të në botë.

Performanca më e dobët ndërkohë vjen në drejtim të sistemit financiar dhe masës së tregu, në vendin e 105-të dhe 108-të respektivisht. Në nivel global, në vend të parë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndjekur nga Singapori, ndërkohë që vendin e fundit e zë Chadi.