Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, përmendi si një nga arritjet më të mëdha të mazhorancës reformën në drejtësi.

Duke folur në ditën e dytë të punimeve të Kongresit të PS-së, Balla tha se kjo reformë u miratua pavarësisht kundërshtisë së hapur të opozitës dhe presidentit Meta.

Ai nuk nguroi që ti etiketojë si “aleancë e pështirë kundër reformës”.

Balla: Prej korrikut 2016 në Shqipëri rreshtimi i krahëve në politikën shqiptare nuk është vetëm në nocionet bazë e majtë – e djathtë, shumicë – pakicë apo pozitë – opozitë. Prej atij momenti në Shqipëri u krijua një aleance e pështirë kundër Reformës në Drejtësi, me Sali Berishën në ballë, Ilir Metën pas shpine, Lulzim Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme. Reforma në Drejtësi ishte dhe është angazhimi ynë themelor prej kur e propozuam për herë të parë në vitin 2008 nevojën e një reforme të tillë dhe jetësimin e të cilës e filluam sapo morëm besimin e shqiptarëve.