Terminali i Transportit Publik në Tiranë do të shfrytëzohet nga koncesionari për një periudhë 33-vjeçare. Zbardhet draft-kontrata e zbardhur mes Bashkisë së Tiranës dhe bashkimit të shoqërive “Salillari shpk & Hellas Servis SHPK & Analysis Computers & Software S.A. & Klodioda SHPK”, që janë fituese të koncesionit.

Sipas dokumentit, që pritet të diskutohet në mbledhjen e datës 27 shtator të Këshillit Bashkiak, njofton Tv. Scan, vlera totale e investimit do të jetë 18,854,720.00 Euro, ndërkohë që në këmbim koncesionari do të arkëtojë të ardhurat që do të vijnë nga pagesat dhe tarifat e parkimit që do të paguhen nga operatorët e autobusëve.

Referuar kontratës, këto tarifa nisin nga 357 lekë për vetëm një biletë (vetëm vajte ose vetëm ardhje) që do të paguhen nga taksitë 8+1, ndërsa për autobusët ndërqytetës dhe bashkiakë kjo tarifë është 642.5 lekë për biletë. Autobusët ndërkombëtarë do të paguajnë 1785 lekë për biletë, ndërsa për parkimin e autobusëve ndërqytetës dhe ndërkombëtarë pagesa do të jetë 642.5 lekë. Fluksi i mjeteve që do të hyjnë dhe dalin pritet të jetë i konsiderueshëm, pasi linjat që do të hyjnë dhe dalin prej këtij Terminali janë nga e gjithë Shqipëria, përveç zonës lindore të vendit.

Por koncesionari pritet të krijojë edhe të tjera të ardhura, duke qenë se projekti parashikon edhe hapësirat tregtare, të cilat do të jepen me qira. Të ardhura do të sjellë edhe zona e hotelit, pasi shërbimi i hotelit dhe aktivitetet e lidhur me të, do të menaxhohen sipas një skeme ku operatori do të paguajë një tarifë operimi për hoteleri. Ndërkaq, marrëveshja koncesionare parashikon edhe një ndarje fitimi me Bashkinë e Tiranës, e cila do të arkëtojë 5% të fitim vjetor dhe tarifën e koncesionit prej 2%.