kokedhima_6

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA në PS, KoçoKokëdhima, në një intervistë për televizionin  “Neës 24”foli për ndërmjetësimin që bëri për arritjen e marrëveshjes PS-LSI më 1 prill 2013, si e majta nuk kishte arritur të bëhej bashkë në sfidat e mëparshme, për shkak të urrejtjes së PS-së ndaj LSI-së dhe mungonte besimi mes palëve.

“Në 2005 bëra shumë përpjekje që e majta të mos përçahej. Përçarja solli që e majta të ikte nga pushtetit, dhe erdhi Berisha pas rrënimit që i bëri vendit, dhe me ato që ndodhën në ’97. Kam ndikuar për marrëveshjen PS-LSI për zgjedhjet vendore, por kjo më pas nuk vijoi pasi ndikuan prioritet të tjera.

Në 2009 kam ndikuar shumë për të realizuar koalicionin paraelektroral. Lidershipi i PS kishte një prioritet më të lartë sesa garancia e PS dhe të majtës së bashkuar për të ardhur në pushtet. Ndaj u refuzua gatishmëria e LSI deri në momentin e fundit, dhe këto zgjedhje nuk i fituan vetëm.

Në 2011 i kërkova Ramës t’i mbante hapur derën LSI dhe Ilir Metës se kisha besimin e plotë se do t’ i duhej PS bashkimi i së majtës. Nuk ndodhi kjo gjë. Dhe u ndoq rruga e një armiqësie me LSI dhe Ilir Metën.

Kam punuar për të bashkuar koalicionin që do të fitonte zgjedhjet e 2013. Kam qenë garant i atij bashkimi, që kishte shumë vështirësi, pasi besimi i palëve nuk ekzistonte. Më kujtohet shumë mirë se në PS kishte një urrejtje të pashembullt për lidershipin e LSI. Pavarësisht të gjitha këtyre ajo funksionoi, dhe ai ishte një bashkim që mori një mbështetje të madhe popullore, dhe u certifikua me një rezultat të fortë në zgjedhjet e qershorit 2013”- thotë Kokëdhima.

“Praktika e këtyre viteve ishte një praktikë e gërryerjes së koalicionit. Marrëdhënia në koalicionin e së majtës, është shumë e dobët. Është shkatërruar çdo vlerë besimi” – thotë ish-deputeti i PS-së

“Koalicioni nuk u pasi një mundësi për të rritur cilësinë e qeverisjes, nuk u pa si një mundësi për të rritur kredibilitetin e PS, as për të rritur përmes këtij koalicioni impaktin dhe ndikimin elektoral të saj në treg. Koalicionet Rama i shikon si instrumente për të garantuar karrigen dhe pushtetin personal nga gërryeja e pozitës elektorale të PS. Po të shohim se në fillim të 2016,ndoshta edhe në mars të 2015, kishte filluar të përfshihej PDIU në koalicioni e së majtës, dhe kjo nuk ishte diçka e natyrshme sepse e majta kishte 85 vota, dhe nuk sillte ndonjë gjë të re se ç’thonin edhe 4 vota të tjera” –thotë Kokëdhima.

Kokëdhima është kritik edhe pranimin e PDIU-së në koalicion.

“U pranua për kulturën diversive që ka lidershipi i PS në drejtim dhe rikuperim duke importuar nga jashtë të gjithë erozionin që ai zhvilloi në PS. PS ka kaluar në këto 4 vite në gjendjen e saj më kritike në gjithë këto vite. Rama mori një parti të mirëfillte politike të organizuar në 2005 dhe sot ka një bashkësi parapolitike të zhytur në kaos ideologjik dhe moral. PS është arratisur nga shinat e së majtës dhe ka zhvilluar politika që vetëm me të majtën nuk kanë asnjë pikë lidhje. Për të kompensuar këtë rënie të pozitës elektorale të PS, përdoren këto lojëra politike” – thotë Kokëdhima.