koco-kokedhima-ne-konference-per-shtyp-1_0

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Koço Kokëdhima ka bërë akuza të forta sot ndaj qeverisë së Edi Ramës. Në një takim me qytetarë të Durrësit, Kokëdhima tha se rreziku nga droga është i madh pasi ajo fuqi monetare të prkahëueshme.

“Mafia e drogës ka sot një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Edhe zgjedhjet e 18 qershorit janë të rrezikuara nga fuqia financiare e Don Kanabisit!” – tha Kokëdhima duke shtuar: “Sot hashashi gjendet kudo. Kush dëshiron ta pijë, nuk e ka të vështirë ta gjejë. Organizatat kriminale e shpërndajnë në çdo lagje, në çdo rrugë dhe në çdo shkollë. Partitë politike bëjnë moralizime dhe nuk kanë alternativa. Ato predikojnë vetëm represionin, i cili deri më sot ka goditur kryesisht përdoruesit dhe fshatarët e varfër. Qeveria nuk ka studime, nuk ka baza të dhënash, nuk ka programe e projekte edukimi, ndërgjegjësimi dhe ndihme për të rinjtë dhe familjet e tyre për ta luftuar përhapjen dhe përdorimin e drogës”.

Sipas Kokëdhimës qeveria nuk mund të injorojë protestën e opozitës.

“Qeveria nuk duhet që të injorojë as protestën e opozitës dhe as zërat e tjerë që kërkojnë një transformim radikal të sistemit zgjedhor. Qeveria duhet të ulet menjëherë në bisedime me opozitën dhe me partitë e tjera, të ulet pa kushte dhe me respekt. Peticionet e saj me tenda, janë iracionale dhe joserioze, janë si antimitingjet e Saliut.  Shqetësimet e çdo force politike për zgjedhjet janë të përligjura. Por nga ana tjetër, Basha duhet të kërkojë falje të thellë për shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve në vite nga Partia Demokratike dhe për mbjelljen e kulturës së vjedhjes së votës në Shqipëri”.

“Ndonjë zëdhënës dhe analist i keqkuptuar ose i paguar nga mafia, është përpjekur që të fajësojë propozimet e mia për legalizimin e kanabisit si gjoja shkak për këtë superprodhim ilegal të tij. Ky është një mashtrim i madh. Mafia investon për ta ndaluar edhe debatin për legalizimin. Prodhuesit dhe trafikantët e marijuanës nuk i morën garancitë për të investuar nga diskutimet e mia. I morën nga funksionarët e policisë që u përfshinë në planifikimin, menaxhimin dhe mbrojtjen e këtyre investimeve. Kush nuk bëri marrëveshje me policinë, u godit me ashpërsinë më të madhe” – tha Koço në Durrës.