koco-655x356

Shpëtim Gjika nuk ka probleme vetëm me drejtësinë, por edhe me familjen politike ku bën pjesë. Projektet e tij nuk i pëlqejnë më as mazhorancës qeverisëse. Deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima u shpreh hapur kundër dhënies me koncesion të parkingjeve në disa rrugë kryesore e dytësore të Vlorës. Edhe pse projekti është votuar në Këshillin Bashkiak, Kokëdhima deklaroi në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, se qeveria nuk do ta lejojë atë.
“Për koncesionin e parkingjeve në Vlorë, jam krejtësisht kundër. Me shumë sinqeritet nuk kam pasur asnjë dijeni për këtë gjë. Por as qeveria nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë çështje dhe po bën të gjitha tratativat e nevojshme për të mos lejuar vazhdimin e këtij koncesioni. Ka instrumenta qeveria që mund të ndërhyjë edhe në çështje që i ka marrë pushteti lokal. Ai është një koncesion që nuk prodhon avantazhe për qytetarët”.
Nëse në raport me Gjikën, “superdeputeti” i PS foli në emër të mazhorancës dhe qeverisë, ai ka një kundështi personale edhe për një tjetër projekt të madh. Kokëdhima thotë se gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është çnderues për vendin tonë.
“TAP-i nuk do të ketë asnjë ndikim pozitiv në Shqipëri. Ashtu si TAP-i dhe një numër i madh koncesionesh në Shqipëri janë çnderuese për një vend. Janë koncesione që në mënyrë të hapur tradhëtojnë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, u japin interesa vetë përfituesve të koncesioneve. Edhe pse është bërë shumë propagandë që TAP-i do të sjellë shumë të mira në vendin tonë, në të vërtetë Shqipëria nuk përfiton asnjë metër kub gaz.
Kapaciteti i TAP-it ndahet kështu: 80 për qind e merr Italia, 10 për qind e merr Greqia dhe 10 për qind e merr Bullgaria. Kalon nëpër territorin e Shqipërisë dhe nuk merret asnjë lek qira për tokën. Nuk merret asnjë taksë kalimi, anjë metër kub gaz. Praktikisht përfitojnë koncesionarët dhe ata që kanë negociuar kontratën”.
Por deputeti i Vlorës sheh një tjetër fushë ku sipas tij Shqipëria mund të përfitojë: legalizimi i kultivimit të kanabisit. Ai thotë se Shqipëria e ka treguar që ka tokë e klimë të përshtatshme për rritjen e kësaj bime, madje edhe njerëz që dinë ta kultivojnë atë.
“Unë jam që Shqipëria të ketë një legjislacion të arsyeshëm për çështjet e kanabisit. Mundësitë e përfitimit nga kjo ekonomi të diskutohen hapur. Kjo nuk duhet të jetë një tabu. Sot, të gjitha vendet e botës po e diskutojnë, po e legalizojnë dhe ne kemi nevojë që ta diskutojmë këtë çështje.
Përderisa ne dimë ta bëjmë kanabisin, përderisa kjo bimë kultivohet në mënyrë të suksesshme në Shqipëri, pse të mos e ngremë këtë ekonomi me kontrollin e plotë të shtetit, gjithmonë për interesa të farmaceutikës dhe për eksport, si për kërpin dhe për kanabisin medicinal? Kjo ekonomi është shumë me leverdi dhe nuk ka arsye që në të mos përfitojmë prej saj.Unë besoj vërtet që ne kemi mundësi të përfitojmë nga kjo ekonomi.
Në jug të vendit, aty ku unë jam deputet, fshatarët e atij vendi, në të shkuarën, në një masë jo të vogël, kanë jetuar me marijuanën. Nuk u bënë të pasur, por jetonin me këtë kulturë. Merrnin rreth 200 euro për kilogram dhe rregullonin shumë nevoja të tyre. Pasi kjo mundësi u mbyll mendoj se duhet të gjejmë një rrugë për ta zëvendësuar këtë histori. Dua që të zbusim sado pak situatën kritike që kemi në ekonominë tonë në përgjithësi dhe në atë të fshatit në veçanti”.
Për legalizimin e kultivimit të kanabisit Kokëdhima po bën një fushatë intensive edhe në gazetën e tij “Shekulli”. Veç këtyre çështjeve ai foli edhe për zhvillimet politike. Ai e quajti proçesin e dekriminalizimit një farsë, ndërsa mohoi të ketë përfituar fonde publike përmes kompanive të tij