ruci-kokedhima
I ka habitur të gjithë Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, kur mori përsipër të njoftojë propozimin e Koço Kokëdhimës për të shtyrë Kongresin e dhjetorit. Pasi artikuloi propozimin e Kokëdhimës, Rama është tërhequr nga debatet, siç raporton Gazeta Shqiptare duke ndjekur në heshtje sherrin. I pari që kundërshtoi ka qenë Gramoz Ruçi, që ka folur i irrituar në mbledhje. “Të kesh turp që nuk ke bërë asgjë, madje ke shkelur afatet statutore. Kush je ti që ke marrë vendim për shtyrjen e afatit të Kongresit?!” I ka thënë Ruçi, Kokëdhimës. Por duket se Ruçi ka vënë në dukje edhe mbështetjen e Ramës për Kokëdhimën, kur i është drejtuar kryeministrit me fjalët; Çfarë mund të them unë? I keni thënë të gjitha ti dhe Koço!

Debatet në mbledhjen e grupit të PS

EDI RAMA: Ka pasur një propozim nga deputeti Koço Kokëdhima për shtyrjen e
kongresit. Ky duhet të diskutohet në mbledhjen e grupit, ditën e premte.
RAMA I DREJTOHET RUÇIT: Ka ndonjë mendim?
GRAMOZ RUÇI: Çfarë mund të them unë? I keni thënë të gjitha ti dhe Koço.

KOÇO KOKËDHIMA: Kam punuar shumë në zonë dhe i di mirë problematikat. Mbi këtë e bazoj edhe propozimin tim. Madje mund të them se jam edhe një nga njerëzit që ka punuar më shumë në PS për zgjedhjet në struktura. Ndaj po ju them se koha nuk mjafton deri në janar.
Koço Kokëdhima paraqet platformën e tij me idetë si duhet të funksionojë PS-ja.
GRAMOZ RUÇI (I drejtohet Koço Kokëdhimës): I nderuar zotëri, mos na bëj sikur je punëtor i madh, sepse të kesh turp që nuk ke bërë asgjë, madje ke shkelur afatet statutore. Kush je ti që ke marrë vendim për shtyrjen e afatit të Kongresit?! Një vendim të tillë për caktimin e datës e ka marrë Asambleja. Po duket se kështu është kur ti emëron vetë, vendos vetë, përcakton vetë. Po fundja do të vijë kjo situatë, sepse ty të kanë bojkotuar gjithë deputetët.

VALENTINA LESKAJ: Ky proces duhet të jetë me rëndësi të madhe politike dhe nuk mendoj se u duhet dhënë rëndësi gjërave të vogla teknike. Sa u përket punësimeve, ju lutem mos na dërgoni e-maile, ku na kërkoni të shohim çështjen e punësimeve.

FATMIR TOÇI (I drejtohet Koço Kokëdhimës): Ti zotëri nuk pyet asnjë. E quan veten komandant të Jugut, por ti po e merr në qafë Jugun. Ke emëruar njerëz në punë pa pyetur askënd, as për kontributet e tyre. Ti të hidhesh pupthi nuk të do njeri atje.
KOKËDHIMA, TOÇIT: Ti je një parazit, ja se ç’je!

Ajo që ka çuditur deputetët është mosndërhyrja e kryeministrit Edi Rama gjatë debateve.