A do të kemi një koalicion PD-LSI në zgjedhjet e ardhshme lokale? Pak kohë më parë nuk ishin të paktë zërat që folën për riafrim të partisë së Monika Kryemadhit me socialistët e Edi Ramës. Për temën e koalicioneve, kryetarja e LSI-së lë ende gjithçka të hapur. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” tha se kanë nisur negociatat me PD-në për mënyrën si do të dalë opozita në zgjedhje.

“…më pas ne do ta kemi të nevojshme për tu ulur dhe për të marrë vendimet politike të ulemi të gjithë bashkë. Për sa u përket kandidatëve akoma nuk e kemi diskutuar sepse mendojmë që është akoma shumë herët.

Edhe PD, edhe LSI nga ana e saj apo dhe parti të tjera të frontit opozitar janë në gjueti kandidaturash të cilat janë kandidatura shumë të mira për pushtetin vendor. Duhet të jenë kandidatura të cilat marrin përsipër për ti shërbyer qytetarëve por jo për tu kthyer në ushtarë të politikës” – tha Kryemadhi.
Kandidatë të përbashkët?

“Nuk kemi rënë dakord akoma, por jemi në diskutime. Ka një lloj dashamirësie pozitiviteti apo nonsensi, por jemi në diskutime për të vendosur kriteret që duhet të ketë kandidati. Bashkë në zgjedhje? Jo 100%, por jemi aty” – tha ndër të tjera Kryemadhi.