Kisha në Nokovë të Gjirokastrës rrezikon të shembet plotësisht. Themelet e kësaj kishe po lëkunden. Reshjet e fundit të shirave kanë dëmtuar më shumë strukturën e kishës ortodokse më se 200-vjeçare të Shën Gjergjit në fshatin Nokovë në Gjirokastër.

Muri anësor i saj është shembur në dy pjesë dhe gurët kanë zënë një pjesë të mirë të rrugës që të çon për tek lagja e sipërme. Pritet një grup inxhinierësh për të vlerësuar dëmin dhe bërë studimin gjeofizik të ndërtesës. Edhe në brendësi të kishës gjendja është e rëndë. Tavani në 50% të sipërfaqes së tij është gati në rënie e bashkë me të edhe çatia. Dy profile betoni anësore nuk po rezistojnë nga pesha.

Kryeplaku i fshatit Anesti Shupuli ka kërkuar ndihmën e autoriteteve për të ndërhyrë sa më shpejt në këtë drejtim.

Kisha e Shën Gjergjit në Nokovë, daton në shekullin e 19-të dhe konsiderohet si objekt i trashëgimisë kulturore dhe hyn në listën e monumenteve të kategorisë së parë. Ajo ka rezistuar dhe mbahet në këmbë nga investimet e pjesshme që kanë realizuar banorët e fshatit.