Komiteti i Ministrave të Evropës ka vendosur të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave për Shqipërinë.

Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi.

Komiteti i Ministrave të Evropës thekson faktin se plani i kompensimit të pronave do të mbyllet brenda një periudhe 10-vjeçare, një zhvillim ky, i cili garanton çdo pronar, pasi prona e tij do të kompensohet sipas një plani të studiuar.

“Këshilli i Evropës konfirmon si funksional dhe efektiv mekanizmin e kompensimit të pronës të miratuar nga Qeveria Shqiptare Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjen e datës 19 shtator 2018, miratoi Rezolutën për Shqipërinë, me konkluzionin se mekanizmi i ri i kompensimit të pronave, parashikuar me ligjin 133/2015 është plotësisht funksional dhe efektiv. Në Rezolutë theksohet se Shqipëria ka arritur rezultatet konkrete të angazhimit politik të nivelit më të lartë për të siguruar funksionimin e këtij mekanizmi”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu sa i takon detyrave të kryera nga Shqipëria, Komiteti i Ministrave vendosi t’i hap rrugë procesit, ku mes tjerash thuhet: “Komiteti i Ministrave vendosi të miratojë rezolutën për mbylljen e procesit të mbikqyrjes të masave të përgjithshme për grupin e çështjeve që lidhen me kompensimin e pronave, duke përfshirë këtu dhe planin e masave të vendimit pilot të Manushaqe Putos e të tjerë. Në këndvështrimin e Komitetit të Ministrave, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet sipas vendimit pilot të Manushaqe Putos, për ngritjen e mekanizmit efektiv të brendshëm për kompensimin e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist”.

Prej vitit 2014 qeveria nisi reformën për t’i dhënë nje zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. Në atë kohë drejtoresha e Agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave Sonila Qato deklaroi se “agjensia do të përllogariste për herë të parë faturën financiare, që do i kushtonte shtetit shqiptar, mbi bazën e të cilës kjo agjensi do të punonte mbi krijimin e mekanizmit efektiv për zgjidhjen e çështjes së pronave të kërkuar që prej vitit 2012 qeverisë shqiptare nga vendimi pilot i gjykatës së Strasburgut “Manushaqe Puto”.