keshilli_bashkiak_i_kamzes_1_7808
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës që u zhvillua sot, u paraqitën para këshilltarëve disa projektvendime të rëndësishme për miratim. Kështu, u hodh për votim projektvendimi “Për miratimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Bashkisë Kamëz”, projektvendimi “Për miratimin e paketës fiskale transitore të Bashkisë Kamëz” dhe projektvendimi “Për miratimin e buxhetit transitor të Bashkisë Kamëz”, të cilat u miratuan me shumicën e votave të këshilltarëve. Në këtë mbledhje të dytë të Këshillit të ri Bashkiak, të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit, pjesë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara.
Teksa ka folur para këshilltarëve në lidhje me projektvendimet e paraqitura, kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, theksoi se është i angazhuar maksimalisht për të zbatuar ligjin dhe manualin udhëzues për sa i përket periudhës transitore të njësisë së re vendore, e cila përfshin Kamzën dhe Paskuqanin.
“Jam i angazhuar për të mos e rritur strukturën e Bashkisë, por për ta reduktuar atë, por pa i krijuar kosto Bashkisë”, është shprehur ndër të tjera Mziu, i cili ka bërë të ditur se ka 301 punonjës në strukturën e Bashkisë Kamëz, bashkë me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, të Pastrim-Gjelbërimit dhe Dekorit, ndërsa për sa i përket Paskuqanit, janë trashëguar 106 pozicione pune të miratuara në Këshillin Bashkiak. Së bashku bëjnë 407 persona.
Gjithashtu, kreu i Bashkisë sqaroi se në udhëzuesin e Këshillit të Ministrave dhe të Ministrisë së linjës, thuhet “bashkimi mekanik” i strukturave të njësive vendore dhe pas bashkimit mekanik të tyre bëhet një strukturë e re, për të qenë efiçente, duke dhënë rastet se si operohet në lidhje me personat të cilëve u shkurtohet vendi i punës, për shkak të formatimit të njësive të reja vendore sipas reformës administrative-territoriale.
“Unë jam i prirë për të punuar me një strukturë sa më të reduktuar, për të mos e kthyer strukturën e Bashkisë në një institucion për të joshur njerëz dhe për të marrë paga”, ka vijuar Mziu.
Ndërkaq, duke folur për buxhetin, kryebashkiaku Mziu theksoi se në çdo vit ka ardhur duke u rritur dhe se rreth 60 % e tij ka shkuar për investime publike, ndërsa në pjesa tjetër rreth 20 – 22 % ka qenë buxhet social.
“Rreth 18 – 19 % e buxhetit në tetë vite ka shkuar për paga e sigurime shoqërore dhe pjesa tjetër, rreth 20 – 22 % e buxhetit të Bashkisë, ka shkuar për buxhet social, që ka të bëjë kryesisht me shpenzime operative për arsimin, për aktivitete të tjera, për familjet në nevojë”, u shpreh kryebashkiaku Mziu, duke thënë më tej se qëllimi është për të plotësuar nevojat e qytetarëve, të cilat janë kryesisht për investime dhe shërbime ndaj tyre.
“Kjo është motoja ime e punës. Asnjë njësi tjetër vendore nuk ka këto statistika, sa për dijeni. Kush të dojë, le të shkojë t’i shikojë në Thesar, në Ministri apo në të tjera statistika referuese për të parë këta tregues. Megjithatë, kjo është çfarë ka ndodhur në vitet e kaluara. Unë ngelem i angazhuar maksimalisht për të shpenzuar sa më pak lekë në lidhje me strukturën dhe për të pasur sa më shumë të ardhura dhe pjesa e grantit të akorduar të shkojë për investime”, është shprehur gjatë fjalës së tij kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu.