kejdi-Mehmetaj

E dyta në listën e LSI-së në Tiranë, Kejdi Mehmetaj ka reaguar kundër ish-ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Replikat vijnë pas kundërshtimit që Nikolla i bëri deklaratave të Mehmetaj për dështimin në arsim.

Statusi i plotë

E nderuar zysh Lindita,

Kur gënjeshtra të kthehet në patologji, jo vetëm nuk ofron shanse, por të nxjerr humbës në përballjen e rradhës!

Më lejo të të kujtoj si fillim se unë nuk jam “moj vajzë”, pasi nuk jam vajza juaj që studion në Francë dhe as vajza e korridoreve të Partisë Socialiste që pret urdhërat e shefave për të vepruar, qoftë për vendimet mbi jetën personale apo atë familjare. Nuk jam “moj vajzë”, jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë, që të ka kërkuar shumë herë llogari dhe që nëse nuk e kujton, disa herë më kërkove të tërheq interpelancën e fundit që kërkova me ju, pasi nuk kishit argument t’u jepnit përgjigje maturantëve.

Së dyti, sërish po ju kujtoj e nderuar zysh Lindita se angazhimi im konkret për reformën në arsimin e lartë ka dhënë frytet e veta dhe të paktën ka shërbyer për të sensibilizuar të rinjtë për katrahurën që ju kurdisët në kurriz të maturantëve. Unë kam qenë disa herë në zyrën tuaj për të diskutuar për ligjin dhe me keqardhje po konstatoj sërish, se ju si ish ministre ende nuk e kuptoni ligjin dhe pasojat e tij. Ju nuk keni si ta dini çfarë kam thënë në komision apo parlament, sepse ju vetë as nuk keni qenë në komision dhe as keni marrë pjesë në hartimin e ligjit të arsimit të lartë, për të janë kujdesur oligarkët e arsimit privat me të cilët ju dhe të tjerë kanë lidhur interesat në kurriz të të rinjve shqiptarë.

Së treti, çdo akt yni për reformën në arsim ka ngecur pikërisht në zyrën tuaj, ku ndodhet e varur në mënyrë të dukshme edhe diploma juaj nga një universitet privat, e ngjashme me diplomat e disa kolegëve tuaj në grupin parlamentar. Më mirë se unë, ju duhet ta dini nëse diplomën tuaj e keni dhuratë apo e keni blerë ashtu sikur na akuzoni në statusin tuaj. Ju kujtoj se unë vazhdoj të jem studente në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe sado të mundoheni nuk mund të gjeni asnjë fije të dukshme ose të padukshme që më lidh me universitetet private në Shqipëri. Pikërisht këto fije të dukshme apo dhe të padukshme që ju lidhin ju me oligarkinë e universiteteve private, ju pengojnë të shihni të vërtetën në sy dhe të përballeni me dëmin që i keni bërë maturantëve në Shqipëri. Më kot mundoheni të fshiheni pas gishtit për gafat dhe gabimet me ligjin e arsimit, po kaq sa të kota janë dhe presionet që po i bëni mësuesve në të gjjthë Shqipërinë në emër të gjuetisë së shtrigave për motive të pastra politike.

Dhe e fundit e nderuar zonjë, më mirë se unë e dini që asnjëri prej nesh në LSI nuk mund të premtojë teza apo nota provimesh, pasi ky është një proçes që e kontrolloni vetëm ju të PS. Sikundër po ju paralajmëroj se do të kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për të gjithë rastet e drejtuesve të gjimnazeve të Tiranës apo dhe qyteteve të tjera që premtojnë fshirjen e mungesave në këmbim të votës për partinë tuaj. Për të gjitha sa më sipër jam e gatshme të përballem me ju në një debat televiziv,të cdo formati që dëshironi, për t’jua bërë dhe njëherë të qartë shqiptarëve se çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi angazhimin tonë në reformën në arsimin e lartë është përpjekje e dëshpëruar dhe e pavlerë.

Me dashamirësi I uroj suksese të gjithë maturantëve sot në provimin e tyre të parë dhe ju siguroj se me votën tuaj për LSI në 25 qershor I hapni rrugën përfaqësimit dinjitoz dhe punës konkrete për një sistem arsimor cilësor.