Capturejjjjjjj

Ismail Kadare e ka konsideruar tw pamoralshme dhe tw pahijshme transmetimin e filmave tw regjimit komunist, duke u pozicionuar në mbështetje të atyre që kërkojnë ndalimin e transmetimit të tyre në ditët e sotme. Gjatë një bashkëbisedimi me lexues, në teatrin e “Klan Kosova”, Kadare tha se është e patolerueshme që sot e kësaj dite të vazhdojnë të shfaqen filma, ku spiunimi konsiderohet vlerë.
“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e patolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”, u shpreh Kadare.

Ismail Kadare ishte i ashpër në gjykimet e tij për këtë prodhim kulturor. “Sektori i kinematografisë ishte më i kontrolluari, më në shërbim të propagandës së regjimit komunist. Mjerisht ata që ishin kineastë, regjisorë, skenaristë,operatorë,  megjithëse shkuan në shkolla të mira lindore, të mëkuar me modele nënash të ashpra, baballarësh komunistë, u kthyen dogmatikë dhe produktet e tyre janë të egër, pa lirizëm. Shikoni një film nga të paktët e periudhës komuniste që ka një skenë lirike: është një prift që don të përdhunojë një murgeshë të hijshme ! E imagjinoni çfarë absurdi ? Në filmat tanë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi. Imagjinoni dhe në filmat për fëmijë, kishte mësime si të ishin vigjilentë, si të raportonin për armikun e klasës. Dogma e armikut të klasës ishte dominante”-tha Kadare.

Në refleksionet e veta për mitizimin e filmave të realizmit socialist, Kadare mori shembullin e një statuje për aktoren Violeta Manushi në një fshat të Pogradecit. “Çfarë domethënë që i vetmi monument për një aktore t’i ngrihet një personazhi që bart kulturën e kundërvënies së qytetit me fshatin, të kundërvvënies ndaj inteligjencës, kulurës dhe jetës qytetare. Himnizohet një grua që është shoqja nga fshati, por zonja nga qyteti. Mund të jetë aktore gjeniale, por figura e saj është një figurë e një gruaje llafazane”.

Ai mendon se mbrapa këtij diskutimi për filmat e kohës së komunizmit ka gjoja një përpjekje për të mbrojtur luftën nacionalçlirimtare, me të cilën janë marrë një pjesë e filmave. Po unë kam bindjen se një pjesë e mirë e historisë sonë është shkruajtur në mënyrë të gabuar, theksoi ai.

Përpara viteve ’90, janë realizuar disa filma me skenarë të mbështetur në romanet e shkrimtarit (“Radiostacioni”, “Ballë për ballë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Të paftuarit”), por asnjë prej tyre nuk ka arritur të përcjellë forcën e veprës së Kadaresë.
Debati mbi filmat e ish- Kinostudios “Shqipëria e Re” nisi disa javë më parë, kur kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, i mbështetur edhe nga anëtari i AMA-s, Erald Kapri, hodhën idenë e kufizimit të shfaqjes së tyre. Sipas tyre, këta filma shkelin Kushtetutën e Shqipërisë; prekin dhe fyejnë rreth 35% të popullsisë, që kanë vuajtur gjatë diktaturës komuniste; shtrembërojnë historinë; dhe kanë një ndikim negativ te brezi i ri, te të cilët injektohet ndjenja e urrejtjes për një kategori të caktuar të shoqërisë, ndërsa u shfaqet një realitet i rrejshëm i Shqipërisë së asaj periudhe. Ata renditën një sërë titujsh, si më problematikët, të cilët duhet të shfaqen me shpjegimet përkatëse dhe mundësisht në orare të vona transmetimi televiziv. Në këtë debat u përfshinë kineastë, regjisorë e aktorë, shumica e të cilëve ishte kundër çdolloj censure, që do të na kthente pas në kohë në metodat e diktaturës komuniste.
Por kishte edhe nga ata që binin dakord se ka filma fyes kundrejt personazheve realë apo një kategorie të caktuar (shtresa e bejlerëve apo borgjezisë, kleri), që shtrembërojnë historinë, të cilët do të ishte mirë të shfaqeshin të shoqëruar me një bisedë sqaruese mbi periudhën kur u realizuan këta filma dhe se si pushteti i asaj kohe e shfrytëzonte kinematografinë si mjet propagandistik. Kjo çështje mori rrugë institucionale, përmes një apeli zyrtar që ISKK i drejtoi Kuvendit të Shqipërisë, duke i kërkuar të ndërhyjë në rrugë ligjore për kufizimin e shfaqjes së këtyre filmave