Rama

Edi Rama shkoi sërish në Vlorë për të vizituar zonat e përmbytura. Por nëse herën e parë banorët e panë si shpresë për t’ua lehtësuar sado pak problemet, sot i kanë kërkuar llogari për ndihmat e pamjaftueshme dhe reagimin e vakët të strukturave qeveritare. Në fshatin Fitore ai u bë pjesë e një incidenti të rëndë. I shoqëruar nga kryetari i Komunës, prefektja e Vlorës dhe një grup militantësh të PS ai u ndal në një magazinë rrobash, e përmbytur nga vërshimi i Vjosës. Një banor i fshatit, Isuf Myrtezai, i kërkoi që të vizitonte edhe shtëpitë e tjera dhe jo vetëm ato të militantëve dhe simpatizantëve socialistë. Por kryeministri nuk pranoi. Myrtezai i kërkoi ndihma konkrete, se kur do të nisë përllogaritja e demëve, sa do të jetë vlera e dëmshpërblimit, për shkak se dyshohet që ajo nuk do të jetë e plotë si pasojë e mosshpalljes së gjendjes së emergjencës. Por i zënë ngushtë nga këto pyetje, në pamundësi për t’u dhënë përgjigje konkrete, kryeministri është nervozuar dhe i është përgjigjur: Mos ke pirë gjë raki? I fyer nga ky qëndrim i kreut të qeverisë banori ka reaguar gjithashtu ashpër duke i thënë: të dh****** mu në kryeministër! Debati është zhvilluar larg kamerave. Kur kryeministri ka mbërritur në qendër të fshatit, aty ku ishin edhe gazetarët, mes tyre pati një përplasje të dytë.

Banori i kërkoi sërish ta takonte, por kryeministri refuzoi.

Banori: Zoti kryeministër, 1 minutë

Rama: Jo! E di pse? Sepse je shumë i ngarkuar.

Banori: I ndave në të nënës dhe të njerkës. E ke lënë popullin këtu në mes… Ik. S’ta kemi nevojën për asgjë. Ik! Largohu! Largohu! Nuk të duam!

Tejet nervoz për faktin se kjo përplasje u zhvillua në prani të kamerave, kryeministri Rama u largua me inat në makinën fuoristradë me të cilën kishte ardhur. Ky incident u bë shkak për anullimin e vizitave të tjera që ai kishte planifikuar. Rama shoqërohej edhe nga deputeti Fatmir Toçi