Nuk është tamam ajo që dëshironte tifozja që përfundoi me hundë të thyer nga topi i goditur nga Cristiano Ronaldo, por edhe keq nuk i ka shkuar. Nuk mori ftesën për darkë, ashtu si kishte kërkuar, por një takim në Continassa me Cristiano Ronaldo e fanellën numër 7 me autografin me dedikimin “Për Elena një përfaqësim”. Është kjo dhurata e bërë për tifozen bardhezi Elena Di Martino nga kampioni portugez, që e kishte goditur padashje me top në fytyrë – duke i thyer hundën dhe syzet – ndërsa ishte në tribunat e Allianz Stadium në rastin e Juventus-Chievo.

Elena e ka publikuar në profilin e saj Facebook ngjarjen, me dy foto: një ndërsa tregon me krenari fanellën, tjetra në krah të Cristiano Ronaldo: “Dhurata ime për topin në fytyrë. Një kampion brenda dhe jashtë fushës… CR7”.