drejtoria_policise_tirane_2115
Një 28-vjeçar nga Farka e Tiranës në pamundësi financiare për të paguar tek inspektorët e DRSHTRR, me qëllim marrjen me ryshfet të patentës në kategorinë “C”, ka vendosur të fusë në kurth specialistët e Antikorrupsionit pranë policisë së Tiranës. Historia e pazakontë ka për autor të riun Arjel Kodra, i cili nuk ka qenë në gjendje të paguajë për të marrë patentën shpejt dhe për pasojë i ka lindur në kokë të “kërkojë” para te Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku është paraqitur në ambientet e këtij institucioni duke kryer kallëzim penal për akuzën e korrupsionit kundër inspektorëve të DRSHTRR dhe instruktorit të tij, të autoshkollës H. Sula.
Arjel Kodra, u ka treguar specialistëve të Antikorrupsionit se zyrtarët e DRSHTRR dhe instruktori i tij i kërkonin para në këmbim të marrjes së patentës së kategorisë “C”, por një shumë financiare sipas tij i është kërkuar dhe për transferimin e dosjes së Arjel Kodrës nga Fieri në Tiranë.

Pagesa 260 mijë lekë
Të ndodhur përballë një kallëzimi që tregonte një rast korruptiv në drejtorinë e lëshimit të patentave Tiranë, specialistët e policisë së kryeqytetit kanë kërkuar bashkëpunimin e kallëzuesit Arjel Kodra. Ky i fundit ka rënë dakord të bashkëpunojë me policinë për të kryer veprimet stimuluese, për dhënien e shumë së parave tek instruktori i autoshkollës H. Sula dhe inspektorët e DRSHTRR. Nisur nga kjo situatë, specialistët e antikorrupsionit i kanë dhënë 28-vjeçarit shumën prej 260 mijë lekë (të vjetra), të cilat kanë dalë nga fondi i policisë së kryeqytetit, për të vijuar hetimet ndaj këtij rasti korruptiv.
Pas marrjes së lekëve Arjel Kodra është hedhur në “sulm” duke paguar lekët tek inspektorët DRSHTRR dhe instruktori i autoshkollës. Të gjitha veprimet e tij janë monitoruar nga agjentët e policisë, ndërkohë që në trup 28-vjeçari Arjel Kodra ishte i pajisur me aparatin e përgjimit të bisedave mes instruktorit dhe inspektorëve. Lekët që u dhanë nga policia tek 28-vjeçari Arjel Kodra janë paguar për marrjen e patentës së kategorisë “C”, ku pas marrjes së kësaj patente i riu ka hyrë edhe në punë në një kompani.

Mori patentën, me lekët e policisë
Teksa i riu ka bërë pagesat dhe ka marrë patentën, ai u ka thënë policëve të Tiranës se nuk donte të bashkëpunonte më me ta. Kjo ka sjellë tërheqjen nga kallëzimi dhe ndryshimin e deklarimeve të tij.
Nga ana tjetër policia i ka kërkuar ti qëndrojë kallëzimit të parë, por 28-vjeçari tashmë kishte marrë patentën duke përdorur lekët e policisë dhe ishte tërhequr.
Nisur nga kjo situatë, policia e kryeqytetit kanë ngritur akuzën e “Kallëzimit të rremë” ndaj Kodrës dhe materialet ia kaluan prokurorisë së Tiranës duke shtuar se: “… Arjel Kodra nuk ka dashur të kallëzojë apo të bashkëpunojë për veprimtarinë kriminale por qëllimi ka qenë marrja e lejes së drejtimit, por ai ka përdorur vlerat monetare të shtetit siç edhe ka vepruar më parë duke konsumuar në këtë mënyrë elementet e veprës penale të “Kallzimit të rremë” dhe “Deklarimit te rreme para oficerit të policisë gjyqësore…”.

Dënimi nga gjykata
Pas marrjes së çështjes nga prokuroria, Arjel Kodra është dërguar në gjykatë si i pandehur për dy akuza. Një javë më parë 28-vjeçari është dënuar nga gjykata e kryeqytetit me dy muaj burgim, por për shkak gjykimit të shkurtuar ky dënim është ulur me 40 ditë burgim.