Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, deklaroi se për Kosovës është më mirë nëse Shqipëria përdor si monedhë euron. Kjo, pasi sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit, përfshi Kosovën dhe Shqipërinë, do të bëhen në të ardhmen pjesë e BE-së.

“Vendet e Ballkanit janë pjesë integrale Europës. Faktikisht për ne është mirë që Shqipëria të përdorë monedhën e përbashkët. Të gjitha shtetet synojnë që të integrohen në Bashkimin Europian, dhe që përpos të tjerave, ka dhe valutën e vet zyrtare. Shqipëria po bën progres në përmbushjen e kushteve për të çelur negociata për anëtarësim. Besoj edhe Kosova, me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, do të bëhen pjesë e BE-së dhe njëkohësisht do të kemi një valutë të vetme.” – u shpreh Mehmeti në Monitor.