Shumë shpejt, Greqia dhe Shqipëria do të rihapin bisedimet për të përcaktuar kufirin detar mesë dy vendeve, thotë agjencia e lajmeve greke. Bisedimet janë lënë pezull prej kohësh tashmë, kryesisht si rrjedhojë e mungesës së një titullari në krye të diplomacisë greke, deri 3 ditë më parë, kur edhe u caktua ministri i ri, por edhe si pasojë e bisedimeve intensive mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit.

Tashmë që marrëveshja e Prespës është e vulosur dhe tashmë që Greqia ka një emër konkret në krye të Ministrisë së Jashtme, bisedimet mes vendit tonë dhe Athinës zyrtare mund të rifillojnë për t`i lënë vendin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku kufiri mos të jetë çështja e vetme. Agjencia greke e lajmeve nënvizon se në tavolinën e bisedimeve nuk do të jetë aspak kufiri tokësor, por vetëm ai detar mes dy vendeve.

Kufiri tokësor, sipas burimeve konfidenciale për agjencinë e lajmeve, janë të delimituar me marrëveshjen e vitit 1996 mes dy vendeve dhe nuk ka arsye për t`i rinegociuar. Kështu, pala greke duket se hedh poshtë pretendimin e Kryeministrit Rama për një diskutim të kufirit tokësor mes dy vendeve.