Mazhoranca votoi gjatë seancës së së të enjtes futjen në kalendar të projekt-ligjit për t’i hapur rrugë shembjes dhe ndërtimit të një Teatri të ri, por artistët kanë vijuar protestën. Aktori Gent Zenelaj i është drejtuar Kiço Londos, drejtorit të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” i cili qëndronte në një nga dritaret e godinës. Pasi ka mbaruar fjalën, Zenelaj ka marrë edhe njëherë mikrofonin duke thirrur në drejtim të dritareve të teatrit: “Kiço mos qaj, do ta bëjmë teatrin në rrugë, Kiço mos qaj! kanë qenë fjalët e Gentian Zenelajt.

“Të jesh i lirë është një zgjedhje, të jesh trim është një zgjedhje, të kundërshtori diktaturën është një zgjedhje. Sot është një ditë shumë e trishtë, jeni dëshmitarë të një gjëje që keni parë në filma dhe në dokumentar. Ka ndodhur sot. Sot në këtë shtet ku unë kam vendosur të rris fëmijët e mi, ku unë paguaj taksa me ballin lart dhe punoj me ballin lart. Unë sot kam parë sesi është përdhosur e drejta, ligji, burrëria, si janë zbythur vlerat që duhet të ketë një komb, kam parë sesi tradhtia ndodh natën dhe ditën shitet si kompromis.

Po u them atyre që të vij dita që ta bëni gjumin e qetë, kjo tokë këtu është vjedhur. Më kanë akuzuar mua se jam partiak se votojmë atë parti që duam. Por ju keni partinë e lekut, zoti i juaj është leku, bëni be për lekun. Të gjitha gjërat që thoni në emër të arritjeve janë dokrra. Më lejoni t’u quaj qytetar të lirë të këtij vendi, unë sot përulem para jush. Faleminderit që zgjodhët të ishit të lirë”– u shpreh Zenelaj.