82894
Gazetarët e televizionit A1 Report të Carlo Bollinos refuzuan sot të dilnin në punë si zakonisht. Ata u mblodhën për t’u kërkuar drejtuesve që t’u paguajnë pagat. Gazetarët duhet të paguheshin për punën e bërë në muajin prill. Por drejtuesit e televizionit u kanë thënë se për shkak të problemeve që kanë në bilancet financiare paga nuk mund t’u jepet përpara datës 24. Gazetarët thonë se paga u është shtyrë me 37 ditë. Problemet, sipas tyre kanë nisur që në muajin prill, ku është konstatuar edhe vonesa e parë. Pasi kanë paralajmëruar drejtuesit se situata do të përshkallëzohet, gazetarët kanë pranuar të dalin në punë, ndonëse me vonesë. Kjo situatë në A1 Report vjen vetëm pak ditë pasi pronari i këtij televizioni, Carlo Bollino, botoi një analizë ku fliste për “piramida mediatike”. Ja çfarë shkruan Bollino me 3 maj në gazetën e tij.

“Perandori editoriale të ndërtuara mbi argjilë, “piramida mediatike” në sensin e vërtetë të fjalës që nuk janë prekur në gjithë këto vite, por që tani nisin të lëkunden: fakti që 85 përqind e mediave nuk arrin të paguajë pagat e gazetarëve dëshmon se ndoshta burimet financiare ilegale që kanë ushqyer këto “monstra” kanë nisur të thahen.”

A mos ndoshta me këtë shkrim që synonte të godiste mediat informale apo “piramidat mediatike” siç i quan ai, Bollino po paralajmëronte se burimet financiare kanë nisur t’i thahen edhe atij, ndonëse është fitues i disa projekteve qeveritare këto kohët e fundit?