edi-rama-dhe-shkelqim-cani

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, është vënë në qendër të kritikave të gazetës “Shekulli”, si ministri me performacën më të dobët në qeverinë Rama.

E përditshmja e deputetit socialist, Koço Kokëdhima, në një shkrim që paralajmëron ndryshime në qeveri, shkruan se ai ka qenë ministri më i kritikuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mërkurën e shkuar. Kritikat, sipas Shekullit, Rama i ka patur ndaj Canit për punë të dobët, si vonesat në pagat e punonjësve të administratës shtetërore, për ndarje jo të drejtë të fondeve për njësitë vendore apo edhe për faktin se ai është ende i vetmi ministër që ka edhe mandatin e deputetit, duke e konsideruar këtë si një privilegj nga i cili ministri po përfiton. Sulmi nga gazeta e superdeputetit socialist, njeriut më të afërt të Ramës, nuk mund të jetë i rastësishëm. Aq më pak po të shohësh mënyrën e zgjedhur prej saj për të renditur të gjitha “dobësitë” e Canit.

Shekulli shkruan se shkak për kritikat e ashpra është bërë fakti se “Në fillim të këtij viti pati sërish vonesa në paga për arsimtarët e ciklit 9 vjeçar e të mesëm, situatë kjo e përsëritur 2 herë brenda një viti e gjysmë qeverisje.” Në këtë sentencë bie në sy fakti se gazeta e Kokëdhimës flet për këtë ngjarje vetëm tani, ndonëse e konsideron si “situatë të rëndë” që u krijua një herë vitin që shkoi dhe së dyti në fillim të janarit. Ajo nuk ka raportuar më parë për vonesa apo probleme në dhënien e pagave të arsimtarëve.

Po ashtu, Shekulli përpiqet ta distancojë ministrin Cani edhe nga “sukseset” e disa drejtorive në vartësi të tij, veçanërisht Doganat e Tatimet, puna e të cilave është vlerësuar nga kryeministri publikisht, në çdo rast, edhe kur ndaj tyre ka patur kritika dhe dyshime për përfshirje në skandale.

“Edhe pse shpesh kreu i qeverisë ka vlerësuar punën shumë të mirë të bërë nga Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Tatimeve, dikastere në varësi të Ministrisë së Financave, të cilat kanë rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e siguruara, menaxhimi i përgjithshëm i kabinetit ministror duket se ka pasur probleme që nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kryeministrit” – thuhet në shkrim.

Shqetësim për Shekullin është edhe fakti se Cani ka ende mandatin e deputetit. “Përfiton nga fakti se ke ende mandat, – mësohet t’i jetë drejtuar Rama kreut të Financave, shkruan gazeta e Kokëdhimës, duke vënë në dukje faktin se “Ministri Shkëlqim Cani është i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar, i cili ka ende edhe mandatin e deputetit në një kohë që gjithë ministrat e tjerë e kanë dorëzuar atë duke ia lënë karrigen e deputetit, kandidatëve të radhës në listën zgjedhore të Partisë Socialiste.”

Cani është vërtet ministri i vetëm me mandatin e deputetit, por kjo jo për zgjedhjen e tij. Lapsi.al raportonte disa muaj më parë se arsyeja qëndron diku tjetër. Mandati, sipas ligjit, i takon kandidates Ezmerina Hoxha. Por lapsi.al ka mësuar se ajo është vënë nën presion për të të hequr dorë nga mandati, me qëllim që ai t’i kalojë Arben Keshit apo Ashin Domës, dy kandidatët në radhë në listën e PS. Lapsi.al e pati kontaktuar zonjën Hoxha dhe ajo nuk pranoi të citohej mbi këto probleme, njëkohësisht duke mos i mohuar ato.

Veç performancës së dobët, problemeve që ka shkaktuar në vonesat e pagave, pakënaqësive tek drejtuesit e njësive vendore dhe faktit që është ministri i vetëm që gëzon ende mandatin e deputetit, Shekulli i kujton edhe kritikat që ndaj tij ka patur deputeti Sadri Abazi, i cili i tha Canit në parlament që t’i hapte telefonin, pasi ai e kishte bërë deputet.

Duke renditur të gjitha këto probleme që ministri Cani i ka sjellë qeverisë dhe disa pakënaqësi që, sipas Shekullit, Rama ka patur edhe për Ministrin e Shëndetësisë dhe Ministren e Arsimit, gazeta e Kokëdhimës paralajmëron ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar.

Ajo thotë se “Rama ende nuk ka pohuar zyrtarisht për ndonjë lëvizje, por burimet brenda kabinetit qeveritar paralajmërojnë ndryshime të mundshme”.

Arsyet e parlajmërimit të Shekullit për shkarkimin e Ministrit të Financave, janë të paqarta, aq më tepër kur kryeministri nuk ka lënë të kuptohet se do të ketë ndryshime në qeveri. Nëse në kabinetin qeveritar do të ndodhin vërtet lëvizje, atëherë Kokëdhima vërteton edhe njëherë se ai është eminenca gri e kreut të qeverisë. Në të kundërt, sulmi i Shekullit mbetet vetëm një betejë e vogël e superdeputetit të PS ndaj Ministrit të Financave, për motive ende të pazbardhura.