Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se ndalohet hapja e klubeve të natës e diskove duke theksuar se ato po kthehen në vatra të COVID-19. Ajo tha se këto aktivitete do të gjobiten me 3 milionë lekë të reja nëse thyejnë rregullin. Nje tjetër rregull i ashpër është ndalimi i muzikës pas orës 8 të darkës.

“Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili: – Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.

Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.