raqqa
Francezët nisin sulmin me të gjitha forcat e tyre ushtarake kundër ISIS.

Avionët luftarakë të Francës lëshuan 20 bomba mbi territoret e shtetit islamik, në bazat e Rakas (Raqqa) në Sirinë Veriore.

Avionët goditën një qendër rekrutimi të xhihadistëve, një kamp stërvitjeje dhe depo armësh, të cilat kontrolloheshin nga grupet e ekstremistëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes franceze.

Mikael Soria, këshilltari për median, pranë Ministrisë së Mbrojtjes e përshkroi atë si një “sulm masiv”, më i madhi i organizuar ndonjëherë nga Franca kundër Sirisë.

Të gjitha objektivat u shkatërruan, tha ai.

Avionët bombardues francezë u nisën nga bazat e Emirateve të Bashkuara dhe nga Jordania. 12 avionët që ka Franca në këto baza u përfshinë në bombardime.

ISIS e konsideron Rakën (Raqqa) si kryeqytetin e të ashtuquajturit “kalifati islamik”.

Revanshi francez ndaj ekstremistëve në Siri vjen pas sulmeve të së premtes në Paris, ku mbetën të vdekur 132 persona.

Presidenti francez i konsideroi këto sulme si “akte lufte”.