kadia fle
“Jo taksa të shumta! Jo taksa të larta! Jo ndryshimeve të shpeshta!”. Me këto thirrje Fondacioni për Liri Ekonomike në bashkëpunim me disa organizata dhe biznese çeli sot fushatën sensibilizuese kundër taksave dhe
politikave të qeverisë aktuale ndaj biznesit dhe sipërmarrjes. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, shpjegon çfarë është kjo fushatë, si nisi dhe kush e mbështet. “Bizneset shprehen se ndryshimet e shpeshta fiskale janë po aq shqetësuese sa rritja dhe rritja e taksave. Ndaj Fondacioni për Liri Ekonomike do të zhvillojë një cikël debatesh, intervistash e forumesh, studime mbi politikat fiskale dhe strategjitë e foramalizimit të ekonomisë gjatë muajit nëntor”, thotë Besart Kadia, Drejtor Ekzekutiv i FLE-së.

Fushata nis sot më datë 28 tetor me një tryezë me të ftuar Selami Xhepën, Adrian Civicin dhe Gjergj Buxhukun për të vijuar javët në vazhdim me Arben Malaj, Nikolin Jakaj, Mark Crawford, Gjergji Gjika e Ilir Zhilla. Këto forume do të bëhen më pas publike me anë të një konference kombëtare pikërisht për të adresuar në një zë shqetësimet e këtij komuniteti për ekonominë Shqiptare. Po pse lindi një fushatë e tillë dhe cila është alternativa që ofrohet nga grupi që e mbështet atë?

Duket se arsyeja që e ka nxitur janë aksionet e fundit të qeverisë ndaj evazicionit fiskal, si dhe ndryshimi dhe rritja e taksave në dy vitet e fundit. “Gjatë muajit shtator 2015 raportohet të jenë kryer mbi 60 mijë kontrolle në subjektet private prej të cilave vetëm 5500 subjekte ishin me shkelje. Pra në këtë këndvështrim vetëm 10% e bizneseve dhe jo 50% sa u pretendua në fillim. Së dyti, gjobat e vendosura gjatë kësaj periudhe llogariten të jenë 1.5 milion euro. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe me një kosto afërsisht 50.000 lek për biznes. Pra përvec rritjes së taksave, kostos së energjisë elektrike dhe të cmimt të naftës bizneseve në vend i është shtuar dhe kosto e gjobave. Kjo është shqetësuese në kushtet kur studime të bëra së fundmi tregojnë se pothuajse 90% e sipërmarrjes nuk beson se apelimi i gjobave do të jetë i drejtë”, thotë Kadia.