Presidenti Ilir Meta u shpreh se kapja e 613 kilogramë kokainë në territorin shqiptar është shqetësim edhe për çështje të sigurisë kombëtare.

Duke folur për herë të parë për sasinë rekord të kokainës të kapur në vendin tonë, Ilir Meta theksoi se guximi për të nisur një ngarkesë të tillë, e cila nga policia u llogarit me vlerë 180 milion euro, është shqetësues.

“Aksioni i policisë është pozitiv, por edhe guximi për të nisur një ngarkesë të tillë është shqetësues. Lufta kundër këtij fenomeni dhe këtyre grupeve kriminale që janë forcuar ndjeshëm është një shqetësim.

Është një shqetësim edhe për çështje të sigurisë kombëtare. Kur grupet kriminale janë bërë një shqetësim për Italinë, që është një vend ku e ku më i madh se ne, atëherë ky është vërtetë një problem”,- u shpreh Presidenti Ilir Meta në emisionin “Real Story”.