basha-5_0

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka dhënë detaje edhe mbi rastin e kërcënimit ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha pak kohë më parë. Xhafaj thotë se nuk kishte një kërcënim konkret, por pati një informacion konkret.
“Nuk pati shqetësim konkret. Pati një informacion konkret të cilin ne e vlerësuam. Në një nga sinjalizimet e kësaj periudhe ka ardhur edhe ky për Lulzim Bashën. Ai është marrë fillimisht nga shërbimet sekrete në rrugë paralele. Drejtori i SHISH  e ka ndarë me kryeministrin, mua dhe Presidentin e Republikës. Kryeministri më thirri në zyrë dhe kërkoi marrje masash shtesë. Ne jemi lidhur dhe kemi vënë shërbime shtesë. Nuk kishte kërcënim konkret, por një informacion konkret” – tha Xhafaj.
I pyetur nëse bëhej fjalë për një grup radikal të formuar në Maqedoni, Xhafaj thotë se ai grup lidhej më shumë me destabilizimin e situatës në vend, por jo direkt me Lulzim Bashën. I pyetur nëse pas këtij skenari qëndronte Rusia, Xhafaj e mbylli me frazën: “Nuk më takon mua të komentoj apo të jap konkluzione të kësaj natyre”.