frroku-1

Mark Frroku ka mohuar të ketë vrarë Aleksandër Kurtin, siç pretendohet nga drejtësia belge që e ka dënuar në mungesë në vitin 1999. Në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, Frroku tha se ai nuk ka vrarë kurrë ndonjë person. Frroku u shpreh se në kohën e vrasjes, më 5 mars të vitit 1999, ai nuk ka qenë në Belgjikë, por në Shqipëri, dhe ftoi autoritetet belge të provojnë të kundërtën. Mark Frroku pranoi se babai i tij ishte takuar me babain e Aleksandër Kurtit, sipas të drejtës zakonore, por se përmbajtja e takimit nuk është ajo që thotë Prokuroria e Përgjithshme, sipas të cilës babai i tij e ka pranuar krimin. Frroku tha gjithashtu se më 22 shkurt ai ishte kthyer nga Amerika e Veriut dhe se kishte udhëtuar përmes shteteve të zonës Shengen, ishte regjistruar në sistemin TIMS dhe se nuk ka patuar asnjë lloj problemi me drejtësinë as këtu dhe as në Shengen.