12042240_10204395625961012_688005165_n
ntervistë me Violeta Ndue Geca, personi që u përplas me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj pas njoftimit për pushimin e saj nga puna.

Intervistoi: Avokati Altin Goxhaj

Vendlindja: Tropojë

Datëlindja: 10.04.1966

Vendbanimi: Tiranë

Gjëndja Familjare: kryefamiljare, me 2 djem, bashkëshortja e djalit dhe 3 fëmijë

Gjendja ekonomike: në 7 frymë vetëm ajo punon (rroga 26.700 Lekë), jetojnë të gjithë në një shtëpi me qera në periferi të Tiranës

Arsimi: i mesëm

Pozicioni i punës: magaziniere në Bashkinë Tiranë

Çfarë ndodhi një ditë më parë?

Ajo që ndodhi një ditë më parë është vazhdim i një historie dhunimi fizik dhe psikologjik që më ndodhi që në 22 Shtator 2015 në aktivitetin e Panairin e Bashkisë gjatë aktivitetit “Një ditë pa makina”. Në dt 22 Shtator unë isha në polici me plagë në trup për të denoncuar dhunimin që mu bë në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga shokët e Erion Velisë në Panair! Policia disponon raportin mjekoligjor dhe fotografitë e dhunës fizike që ushtruan ndaj meje njerëzit e Erion Velisë në Panair. Unë jam demokrate! Kam qenë gjithmonë dhe do të jem gjithmonë, dhe askush s’ka të drejtë të më ndëshkojë apo pengojë në atë që unë besoj.

Por kjo në këtë kohë është sakrificë pasi dhuna psikologjike ka qenë e vazhdueshme por nuk e dija që do të shkonte deri në dhunë fizike dhe kërcënime me jetë për mua dhe familjen time që unë mbaj si e vetmja e punësuar! Mua më dhunuan në Panair në 22 shtator në mes të gjithë publikut dhe më kërcënuan me “zhdukje nga faqja e dheut” dhe të njëjtën fjalë 3 ditë më pas më tha personalisht edhe vetë Erion Veliaj, shoku i dhunuesit (I cili është në kërkim nga policia me emrin Artur dhe është titullar në një institucion shtetëror) dhe ishte pjesë aktive e aktivitetit që organizoi Bashkia Tiranë në ditën e panairit në stendën “Petrela Palace! Policia e ka shpallur në kërkim shokun e Erionit që në dt 22 Shtator për dhunë fizike ndaj meje dhe kërcënim me jetë sepse nuk i pëlqeu dialekti im dhe duket më njohu që jam aktiviste politike.

Po atë ditë unë thirra policinë dhe bëra denoncimin për dhunë fizike dhe psikologjike dhe kam ende plagët e dukshme në trup. Shokët e Erionit në Panair më kërcënuan që të hiqja dorë nga denoncimi dhe pikërisht sepse unë nuk pranova më erdhi letra për pushim nga puna pa asnjë motiv. Unë jam kryefamiljare dhe mbaj me një rrogë 26.700 Lekë 6 anëtarë të tjerë të familjes sime të gjithë të papunë dhe jetojmë me qera prej 15 vitesh. Këta më kërcënuan me zhdukje nga faqja e dheut mua dhe familjen time dhe duan t’ja dalin duke na lënë të vdesim për bukë dhe pa strehë.

Mua më dhunuan fizikisht herën e parë në 22 Shtator dhe herën e dytë në 25 shtator sepse jam demokrate dhe u përballa me dhunë të përshkallëzuar edhe nga vetë kryetari i Bashkisë. Të gjithë thonë se unë i gjuajta me shpullë Erionit por e vërteta është që unë u përballë me një dhunë verbale të paparë kolektive dhe vetëm u vetmbrojta!

Të Premten në mëngjes, në 25 shtator dy ditë pasi unë u paraqita te mjekësia ligjore me vërtetim nga policia për dhunën fizike që u ushtrua ndaj meje pasi kisha refuzuar të tërhiqja denoncimin në polici ndaj shokut të Erion Veliajt, më erdhi njoftimi nga Veliaj se do të pushohesha nga puna pa asnjë motiv të vetëm.

Kisha 3 ditë e traumatizuar nga dhuna fizike dhe psikologjike që u ushtrua ndaj meje në mes të Bulevardit dhe kur je kryefamiljare që mban një familje me 7 vetë ti e kupton shumë mirë që e vetmja rrugë është të shkosh të takosh Kryetarin e Bashkisë dhe ti kërkosh ndihmë sepse nuk ke asnjë alternativë për të ushqyer një familje ku ke tre nipër dhe mbesa të mitur 5 vjeç, 2 vjeç dhe 6 muajsh! Shkova drejt e te zyra e Kryebashkiakut me letrën e pushimit nga puna dhe i thashë sekretares që doja të takoja Kryetarin por ajo refuzoi dhe unë në dhimbje e sipër u futa vetë të dera ku gjeta Erioni me një biznesmen të njohur.

Erioni bërtiti me të parën por unë me lot në sy i thashë “Të lutem dua të të takoj se kam një hall aq të madh sa s’di ku të mbytem. Më keni pushuar pa asnjë shkak dhe po më braktisni në rrugë me 7 vetë që unë i mbaj me bukë”.

Erioni vazhdoi të bërtasë dhe më nxorri përjashtë dhe unë e prita te Sekretaria. Aty i rezistova gjithë stafit të tij të ngushtë të cilët më bënin presion që të largohesha duke më kërcënuar edhe me polici por unë isha duke qarë dhe u thashë që nuk iki pa takuar Kryetarin. Krahun e kisha copë nga plaga e shkaktuar nga shoku i Erionit 3 ditë më parë, isha e turbulluar duke menduar që isha një kryefamiljare që tashmë s’ka të ushqejë 7 vetë dhe mbi të gjitha një foshnje 6 muajshe dhe nga çasti në çast pritet të vijë qeradhënësi të më përzejë edhe nga shtëpia.

Ti e kupton shumë mirë se çfarë do të thotë të mos kesh mundësi të ushqesh një foshnje 6 muajshe dhe të mos kesh mundësi të paguash më qeranë, ujin apo energjinë. Më së fundi kur unë refuzova të largohesha nga sekretaria, erdhi Erioni duke më bërtitur që tashmë unë jo vetëm do të pushohesha nga puna por “do të zhdukesha fare” të njëjta fjalë siç mi tha shoku i vet që më dhunoi të marten dhe ende është në kërkim nga policia. Ai bërtiste duke mu afruar në pranë fytyrës dhe duke më ofenduar me fjalë “tani do zhdukesh prej këtej”, “e di mirë se kush je ti”, “tani do marrësh atë që meriton”, “boll me ju”, “shko protesto në rrugë”, “këtu s’ka vend për injorantë”, “shko protesto me Lulin”, “thuaj Lulit të të gjej punë te SHQUPI” dhe më kapi në të njëjtin krah që e kisha plagë nga dhuna e shokut të tij 3 ditë më parë.

Aty duke qarë, nuk durova dhe e shtyva fort me të dyja duart në fytyrën që ma kishte sjellë 5 cm larg meje dhe ai i shpërfytyruar ngaqë nuk e priste, instiktivisht më gjuajti me grusht mbrapa kokës dhe më kapi për flokësh dhe njëkohësisht m’u sulën edhe sekretarja, shefja e kabinetit dhe këshilltarja.

Fatmirësisht aty ndodhej budyguardi i tij i cili u fut menjëherë mes nesh duke e penguar atë dhe ato që të më tërhiqnin për flokësh duke u bërtitur “mos, mos, mos e prekni” dhe mua me shumë profesionalizëm më nxorri jashtë dere pa më dhunuar. Celulari më ra në tokë në zyrën e sekretarisë dhe ende s’ma kanë dorëzuar. Në koridorin përballë zyrës ishte një gazetar me kamera televizive të cilit u drejtova “hap kamerën, shiko çfarë ndodh këtu, nuk është lajm ky se si dhunohen gratë në Bashki?”.

Gazetari dhe kameramani ulën kokën dhe nuk flisnin. Unë qaja me dënesë në gjëndje të rënduar emocionale dhe bërtisja duke kërkuar ndihmë dhe akuzuar ata që më dhunuan dhe pushuar nga puna. Aty erdhën policët e Bashkisë dhe më zbritën në katin e parë jashtë pa më dhunuar dhe sapo mbërritëm te recepsioni vjen me vrap shefja e kabinetit e cila mbante një celular me kamera të hapur dhe bërtiste “në burg do të të çojmë, thërrisni policinë”.

Kujtoj se shefja e kabinetit gjatë kohës që Erioni më bërtiste në fytyrë në zyrën e sekretarisë, po thoshte “e nxjerrim me policë këtë kafshën, ja t’i thrras tani”. Kur mu afrua me celular në dorë duke më më bërtitur “në burg do të kalbesh” unë duke qarë ju ktheva dhe e shtyva se s’mundesha ta duroja dot më provokimin. Theksoj se gjëndja ime emocionale ishte e tmershme dhe ende jam në gjëndje “shoku”.

Aty erdhi policia dhe më çuan në Komisariatin nr 1 ku dhe më morën të dhënat por refuzova të përgjigjem çdo lloj pyetje pa avokat. Aty morën një telefonatë nga Bashkia në sy tim ku iu kërkua që të lirohesha pasi Bashkia nuk donte të bënte denoncim sepse donte ta mbyllte këtë histori dhune psikologjike dhe fizike që zgjati që nga dt 22 Shtator nga shokët e Erionit dhe deri te vetë Erioni dhe shefja e Kabinetit në 25 Shtator.

Tani unë kam disa probleme të rënda për të zgjidhur. Ata më nxorrën nga Bashkia me dhunë ndërkohë që unë jam magaziniere dhe unë nuk e di çfarë bëhet që dje me gjithë mallin që kam në ngarkim pasi tashmë magazinat që unë kam detyrë funksionale të administroj janë pa zot dhe në dorën e Kryetarit. Celularin tim ma kanë përvetësu në zyrën e Kryetarit dhe refuzojnë të ma japin. Kam intervistën e pushimit nga puna në 28.09.2015 ora 10:30 te Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse.

Në 4 ditë duhet të paguaj qeranë e shtëpisë, dhe mbesës sime 6 muajshe, nipi 2 vjeç njëri dhe 5 vjeç tjetri u duhet ushqim. Duhet të paguaj dritat dhe ujin! Me çfarë do të ushqehem unë kur kam mbi krye gjithë dhunën e Qeverisë dhe nën krye 6 gojë të tjera për të ushqyer. Ndërkohë që unë dhe familja ime jemi të kërcënuar me jetë nga Veliaj dhe shokët e tij dhe ndihemi sot të pambrojtur edhe nga policia! Çfarë të bëj, ku të mbytem….