ben-blushi-1_2

Kryetari i Partisë LIBRA, Ben Blushi, ka deklaruar se është kundër një bashkimi të mundshëm me LSI, nëse kjo e fundit del nga koalicioni qeverisës me PS, por ka theksuar që ky është një vendim që nuk e merr dot personalisht. Sipas Blushit, vendimi i parë që është marrë në kuadër të krijimit të LIBRA-s ka qenë marrja e vendimeve në grup. Kjo do të thotë që nëse grupi vendos të bashkohet me ndonjë parti cilado qoftë, Blushi do t’i nënshtrohet.

I pyetur nëse grupimi i tij partiak do të vendoste të bashkohej në koalicion me PS-në, Blushi tha se do e respektonte vendimin e anëtarëve, por do të merte një vendim personal, duke lënë të kuptohet se me shumë mundësi do të largohej edhe nga LIBRA.

“Që ditën e parë që jemi mbledhur, vendimi i parë që kemi marrë, ka qenë për vendime në grup. Unë personalisht dua të dalim në zgjedhje vetëm, por nëse grupi vendos të kundërtën unë do i nënshtrohem vendimit të tyre”, ka deklaruar Blushi në studion e “Opinion”, duke theksuar edhe një herë disavantazhet që kanë partitë e vogla që dalin në zgjedhje jashtë koalicioneve.

“Partitë e vogla zgjedhin t’i bashkohen të mëdhave, sepse sot i tillë është sistemi…”, thotë Blushi.