Duket se në mendjen e Astrit Patozit, as krijimi i një partie të re nuk duket sikur të jetë zgjidhja më e mirë, pasi sipas tij, një lëvizje e tillë do të ishte e kollajtë dhe mund të ishte bërë që në ditën kur Basha la jashtë listave të kandidatëve për deputetë, figura të rëndësishme të partisë së djathtë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Patozi deklaroi se është PD-ja shtëpia e tij, por pavarësisht këtij fakti, ai është i bindur në një gjë, se me kryesimin e Bashës, selia blu do të shembet tërësisht.

“Gjëja më e thjeshtë që mund të bënim, ishte krijimi i një partie politike. Mund ta bënim kur Basha largoi gjysmën e partisë. Ishte e thjeshtë që njerëzit t’i mblidhje dhe të bëje parti. Por ne e konsiderojmë PD-ne shtëpinë tonë. Basha ka nevojë të bashkojë partinë, nëse do të fitojë. Nëse Basha nuk do dëgjojë aksioni ynë politikë vazhdon përpara. Do ftojmë çdo demokrat që mendon se lidershipi i Bashës, pazaret dhe mënyra si drejton partine, ata që e dinë se kjo nuk është rruga e drejtë, të bashkohen me ne dhe të krijojmë një faktor politik, i cili ose detyron Bashën të dorëzohet, ose vazhdojmë betejën me Edi Ramën. Kemi biseduar me gjithkënd, por kjo nuk ka vlerë. Unë me zotin Ruli jemi kolegë, por jemi edhe miq, por të qenit miq nuk na ka penguar të marrim vendime të ndryshme, Ruli u tërhoq ndërsa unë po vazhdoj. Figurat e spikatura të PD-se, biem dakord që Basha dhe lidershipi i tij janë të gabuara.” – tha Patozi.