Pavarësisht se biznesi shqiptar ka dhënë alarmin mbi risqet që paraqet ndryshimi i taksës së materialeve të plastikës dhe ambalazheve plastike të importuara, Ministria e Ekonomisë dhe Financave thotë se ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare” do të stimulojnë prodhimin vendas. Përmes një përgjigjeje, të kthyer një prej bizneseve që operojnë në fushën e termoizolimit nga platforma e bashkëqeverisjes, Ministria thotë se “taksa 35 lekë/kg mbi materialet e plastikës të importuara si dhe taksa 25 lekë/kg mbi lëndët e para të importuara për prodhimin e mallrave të plastikës” avantazhon prodhimin vendas në raport me importin, duke caktuar taksë 29 % më të ulët.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë po harton aktet nënligjore për zbatimin e ligjit ku përcaktohen procedurat e detajuara të aplikimit të taksës bazuar në llojin e prodhimit për të cilën importohet lënda e parë”,-shtohet më tej në përgjigje. Por, ndryshe nga sa thotë ministria bizneset shqiptare kanë nisur të ndjejnë efektet negative të kësaj takse, të cilët parashikojnë edhe mbyllje të aktiviteteve si pasojë e mospërballimit të saj.

Disa ditë më parë, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë realizoi edhe një tryezë diskutimi në të cilën morën pjesë subjekte nga fusha të ndryshme të industrisë së prodhimit, si: prodhues të ambalazheve plastike, prodhues të materialeve ndërtimi, bojra, polisterol, prodhues tuba elektrike, kuti elektrike, aksesore elektrikë, prodhues të guarnicioneve për dyer dhe dritare, prodhim alumini dhe plastikës hekurit dhe nënprodukteve tyre, prodhues të çizmeve dhe sandale plastike, prodhues tubash, etj, si dhe përfaqësues nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Gjatë mbledhjes subjektet treguan mbi dëmet ekonomike që u janë shkaktuar nga ndryshimi i ligjit, ulja e prodhimit vendas, ulja e eksporteve, shkurtimet e vendeve të punës deri në mbyllje të aktivitetit. Njëzëri prodhuesit u shprehën se me ndryshimet e këtij ligji goditen prodhuesit vendas dhe favorizohet importi, ndaj kërkuan nga instancat ligjvënëse rikthimin e ligjit të mëparshëm dhe taksa të shkojë 0.