Fermerët do të përfitojnë kompensim në vlerën e 10 lekëve për çdo litër qumësht të shitur. Vendimi i miratuar nga qeveria u njoftua nga ministri i Bujqësisë, vjen në një kohë kur prej javësh fermerët kanë nisur një protestë të pazakonte duke derdhur qumështin në formë proteste për mosrimbursimin e TVSH-së.

“Prej kohësh ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së. Vendimi i miratuar sot vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%.

Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur. Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur. Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma. Për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore” tha ministri.

Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 Prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët.

Kjo masë e marrë, sipas ministrit, është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%.