skerdilajd_konomi_9344
Katër vite më parë u vra në qendër të Vlorës, gjatë një ekzekutimi mafioz, gjykatësi Skerdilajd Konomi. Edhe pas 4 vitesh hetime ende nuk ka një të dyshuar si autor i krimit makabër.

Familja e tij postoi në fb një mesazh përmes të cilit shprehej zhgënjimi për drejtësinë shqiptare që nuk ka bërë ende asgjë për një nga njerëzit e saj.

“Sot behen 4 vjet nga vrasja e Skerdit…Ky eshte statusi i familjareve te tij… “4 vjet dhe askush nuk na ka bindur qe jeta e njeriut qe kerkon te drejten e tij vlen me shume se 400 grame tritol ne kete vend”, thuhet në mesazhin e familjes.
skerdilajd_makina_9345
Ndërkohë në një intervistë me gazetaren Klodiana Lala në Gazetën Shqiptare, Enkelejda Konomi, e veja e gjykatësit të ndjerë, mes psherëtimash e lotësh, kërkon të dijë se kush dhe përse i vranë njeriun e jetës, babain e dy fëmijëve.

Znj.Konomi, katër vite pa bashkëshortin tuaj, mbase është e tepërt t’ju pyes çfarë ka ndryshuar në familjen tuaj?

Veç dhimbjes së madhe që na ka lënë pas, gjithçka ka ndryshuar në familjen tonë. Sepse ai nuk është më mes nesh. Nuk meritonte të ikte në mënyrën që iku dhe ne sot që nuk dimë përse ndodhi. Sigurisht, unë e kujtoj çdo moment, sikurse dhe prindërit. Me ikjen e tij, unë kam detyrën të rris dhe edukoj dy fëmijët tanë të vegjël dhe të kujdesem për familjen tonë. Djali ishte 3 muajsh kur Skerdi u vra.

Fëmijët po rriten tashmë, e kërkojnë babain?

Vajza po. Është më e rritur, e kërkon shpesh. Ndërsa djali ende nuk e kupton se çfarë ka ndodhur.

Të kthehemi te ngjarja. Në këto katër vite, ju si familjarë, keni pasur kontakte me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë për të mësuar për fatin e hetimeve, dhe çfarë përgjigjeje keni marrë prej tyre?

Kemi trokitur në dyert e institucioneve, na kanë pritur. Na kanë thënë që po punojmë, është në vëmendjen tonë kjo ngjarje për t’u zbardhur. Por, kjo nuk është e mjaftueshme! Ne duam të dimë, kush dhe përse e vranë Skerdin. Ai ishte një gjykatës i Republikës dhe jo një njeri i thjeshtë. E përpos kësaj, ja, është harruar. Ju gazetarët, duhet të pyesni pranë institucioneve përse nuk zbardhet kjo ngjarje. Është, besoj, detyra juaj të kërkoni llogari përse nuk gjenden autorët dhe çfarë po bëhet me këtë dosje.