Në krahasim me një vit më parë, çmimet e qirave në Tiranë kanë shënuar rritje. Sipas publikimit të Eurostat, një shtëpi me 3 dhoma kushtonte në 2018-n 730 euro, nga 670 që ishte një vit më parë.

Ndonëse me një rritje më modeste, apartamentet me 2 dhoma kushtonin rreth 540 euro, nga 520 euro që ishin një vit më parë. Po ashtu edhe apartamentet me sipërfaqe më modeste, vetëm me një dhomë, me sipërfaqe 60-80 metra katrorë, u rritën në 370 euro, nga 350 një vit më parë.

Eurostat publikon çdo vit raportin mbi nivelin e çmimeve të qirave, për të bërë një krahasim objektiv të kostove të jetesës për individët që punojnë jashtë vendit. Për hartimin e këtij raporti janë pyetur agjencitë e pasurive të paluajtshme në vendet përkatëse.
Agjencitë kanë raportuar rritje të çmimit edhe për vilat, ku sipas Eurostat, çmimi mesatar i qirave në 2018-n ishte 1400 euro, nga 1350 euro. Në total, Eurostat përllogarit se çmimet e qirave në raport me një vit më parë u rritën 6%.

Zonat të cilat janë marrë në shqyrtim për të sjellë këto çmime janë zona 2/1 apo ndryshe Rruga e Elbasanit, zona 2/2, zona 5/1 (ku përfshihet edhe Blloku), zona 5/2, zona 7/1, 7/2, 10/3, Selitë, Kodra e Diellit dhe Sauk. Për vitin 2018, qiratë e shtëpive ishin më lirë se në kryeqytetin serb dhe në atë boshnjak. Për të njëjtën sipërfaqe, pra për një shtëpi 3+1, me sipërfaqe 110-130 metra katrorë, qiraja mesatare në Serbi ishte 1350 euro dhe në Bosnjë 820 euro. Për shtëpitë 2+1, me sipërfaqe 80-100 metra katrorë, Shqipëria dhe Bosnja ka të njëjtin nivel, me një qira mesatare mujore prej 540 eurosh, ndërsa në Serbi 960 euro.

Tirana, ndër më të lirat

Për të bërë krahasimin me kryeqytetet e tjera të Bashkimit Europian, shteteve të tjera që nuk janë të anëtarësuara, qyteteve kryesore në kontinentin amerikan dhe aziatik, është marrë si referencë qyteti i Brukselit (niveli 100). Sipas grafikut të Eurostat, qiratë në Tiranë janë sa 51% e nivelit të qirave në Bruksel, së bashku me Sofjen, kryeqytetin e Bullgarisë. Ndër vendet e marra në shqyrtim janë Shkupi, ku qiratë e shtëpive janë sa 38% e Brukselit dhe Ankaraja, ku qiratë janë sa 30% e qirave në Bruksel.

Kryeqyteti më i shtrenjtë i Bashkimit Europian për 2018-n ishte Londra, ku qiratë janë 297% më të shtrenjta sa në Bruksel dhe Dublini me 249%. Ndër vendet jo anëtare të BE-së, më të shtrenjta janë Reikjaviku, qytetet e zvicerane, Gjeneva dhe Berna, si dhe Oslo. Në Amerikë, Nju Jorku është klasifikuar si qyteti më i shtrenjtë, së bashku me Uashingtonin. Në Azi, kryeqyteti i Japonisë, Tokio mban rekordin për çmimin më të lartë nga të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e këtij raporti. Çmimet e qirave atje janë shumë më të shtrenjta edhe se Brukseli.

Rezultatet e kësaj pune, janë kryer nga Shërbimi Ndërkombëtar për Shpërblime dhe Pension (ISRP) në OECD dhe Eurostat, me ndihmën e Zyrave Kombëtare të Statistikave, dhe përdoren për të rregulluar pagat e personelit në institucionet e Bashkimit Europian, organizatave të koordinuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Metoda synon të krahasojë çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazë nga një zyrtar ndërkombëtar në çdo vend pune, me çmimin e së njëjtës shportë mallrash dhe shërbimesh në Bruksel.

Për shkak të rëndësisë së kostove të strehimit në shpenzimet e përgjithshme të ekonomisë familjare, anketa specifike e qirasë kryhet çdo vit në bashkëpunim me agjencitë më të rëndësishme të pasurive të patundshme. Çmimet e qirasë mblidhen rreth mesit të vitit për lloje të caktuara të akomodimit në lagjet e paracaktuara. Informatat e marra dhe që rrjedhin nga anketime të ngjashme në vitet e mëparshme përdoren për të përcaktuar diferencën në çmimet e qirasë për të njëjtin lloj prone, ndërmjet Brukselit dhe secilit vend tjetër ku kryhet sondazhi. /monitor