Stuhia Ciara që po përplaset me veriun e Europës ka sjellë mbylljen e kullës Eifel në Francë.

”Si pasojë e erërave të forta dhe si masë sigurie, kulla Eifel është e mbyllur momentalisht” ka njoftuar kompania që menaxhon monumentin simbol të Parisit.

Probleme ka edhe në Gjermani ku autoritetet kanë njoftuar pezullimin e trenave që bëjnë udhëtime të gjata ndërshtetërore. Nga kjo stuhi është goditur Britania ku era ka arritur shpejtësinë 130 km/orë ndërsa ka pasur edhe reshje të forta shiu.

Nga kjo, në Britani janë pezulluar fluturimet ndërsa këshillohet që të bëhet kujdes me lëvizjet. Deri më tani  ka pasur disa të dëmtuar dhe dëme materiale por fatmirësisht pa viktima.

Ajo që është prekur më së shumti deri tani është Skocia ku janë shënuar përmbytje e ndërprerje energjie elektrike.

Situata parashikohet të jetë e tillë deri ditën e marte.