bimeeeeeeeeeeok

Përcaktimi i kandidatëve për zgjedhjet bashkitë duket se nuk është një proces edhe aq i qetë për koalicionin e majtë. Kryetarët e bashkive me nga 3 mandate nuk e kanë pranuar lehtë largimin. Pas “eliminimit” të Shpëtim Gjikës në Vlorë, “blerjes” së Artan Shkëmbit në Pogradec, “mënjanimit” të Baftiar Zeqos në Fier, “lënies pezull” së Fadil Nasufit në Berat, radha i ka ardhur Flamur Bimes në Gjirokastër.  

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njoftoi sot se ka depozituar një kallëzim penal ndaj kryetarit aktual të bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe për disa zyrtarë të tjerë.

Sipas njoftimit që sjell IKMT (ish-INUK) pasi ka ardhur për shkak të një vendimi të miratuar nga Bime në kohën kur drejtonte KRRT e këtij qyteti për ndërtimin e një pallati 7 katesh në lagjen “18 shtatori” të këtij qyteti në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh. Sipas IKMT, vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit.

IKMT ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT të bashkisë Gjirokastër, shtetasit Ilir Çumaku ish-sekretar i KRRT në Bashkinë Gjirokastër, shtetases Antoneta Çako ish-sekretare e KRRT në Bashkinë Gjirokastër, si dhe ish anëtarëve të Sekretariatit Teknik të KRRT Bashkia Gjirokastër. Akuza për të gjithë shtetasit e mësipërm është “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.

Këto akuza të IKMT, janë pak a shumë të ngjashme me rastin e kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika i cili gjithashtu u nxorr jashtë garës me anë të proceseve gjyqësore për shkak të lejeve të ndërtimit. Por a është kaq e rastësishme kjo padi penale? Lapsi.al u interesua dhe mësoi se përsa i përket bashkisë së Gjirokastrës ka pasur një lobim të fortë nga ana e LSI-së për ta marrë këtë bashki. Mësohet se në krye të kësaj fushate ka qenë deputeti Vangjel Tavo. Duket se Bime nuk ka pranuar të hapë rrugë përderisa ndaj tij po përdoret “kërbaçi”.

Kjo lëvizje vjen vetëm një ditë pas dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi, i cili lëshoi një paralajmërim për kolegët e tij me nga 3 mandate. “Në nuk jemi të përjetshëm tha ai” – duke bërë të qartë se do të ishte më mirë të pranonin tërheqjen e butë sesa një përballje me kryeministrin Edi Rama.

Një kallëzim penal qëndron mbi kryet edhe të kryebashkiakut të Fierit, Baftiar Zeqo për çështjen e ndarjes së banesave sociale. Duket se shprehja “radhën e ka Baftjari” nuk paska qenë dhe aq kot