Bashkia e Tiranës mund të ketë aplikuar para zgjedhjeve të 25 qershorit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Në kontratën ligjore të UKT, në aneksin e saj përcaktohet qartë se kur bëhen aplikimet.

“Aplikimet për ndryshimin e tarifave për vitin pasues paraqiten pranë ERRU (Entit Rregullator të Ujit) Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit actual. Çdo propozim I paraqitur pasi ka kaluar afati duhet të riparaqitet vitin e ardhshëm me shifra të përditësuara”.

Sipas këtij rregulli, Bashkia e Tiranës e ka paraqitur kërkesën brenda qershorit. Edhe sikur kjo të ketë ndodhur në 5 ditët e fundit të atij muaji, pra pas zgjedhjeve, plani për rritjen e çmimit është hartuar nga bashkia përpara votimeve.

Por Erion Veliaj ua ka mbajtur të fshehtë atë qytetarëve që ai takoi jo pak herë gjatë fushatës elektorale. Në takimet ku kërkoi votën për qeverinë Rama, ai pati rastin edhe t’i pyesë qytetarët apo t’i njohë me projektin e ri, por heshti, nga frika se rritja e çmimit të ujit do t’i jepte kosto elektorale.

Dhe ai gjeti momentin më të mirë për t’ia paraqitur kërkesën këshillit bashkiak; në kulmin e euforisë së fitores së zgjedhjeve.