Nuk është çudi që udhëtimi drejt zonave të përmbytura të jetë kthyer tashmë në monotoni për Edi Ramën. E nisi që kur ishte në opozitë, atëherë kur lundronte me varkë për të gjetur nivelet më të larta të ujit që përmbyste gjithë çfarë gjente përpara. E rinis të njëjtin udhëtim edhe tani që është kryeministër, duke premtuar çdo vit se vitin tjetër do të jetë më mirë. Duket e njëjta rutinë që përsëritet e përsëritet dhe që me gjasë do t’ia lërë trashëgimi pasardhësit të tij në kryeministri. Regjistrimi i dëmeve për shtëpitë e shkatërruara, premtimet për dëmshpërblimin e pasurive të humbura, përballja me fytyrat tragjike, çizmet, xhupat, shiu, ndonjë batutë kur e presin me buzqëqeshje dhe ka raste kur i duhet të bëjë edhe një vizitë për ngushëllim kur ka jetë të humbura. E gjitha është një deja vu ciklike për Edi Ramën, që tani ka filluar të mos provojë as keqardhje si herët e para. Këtë e tregon ftohtësia me të cilën kryeministri zgjodhi foton e ditës, që shpërndau në profilin e tij në Facebook. Përdori sot një vajzë të mitur, e cila qëndron e ulur me këmbën e fashuar nga plagët. Rama i shtrëngon dorën i buzëqeshur dhe fëmija i kthen buzëqeshjen e pafajshme. Sapo ka rënë në grackën që nuk do ta humbiste asnjë fotograf personal i kryeministrit. Për rrjetet sociale, ushqim më të mirë nuk mund të ketë.