rama-dhe-mark-frroku-1024x737_0

Pas publikimit të kërkesës së Prokurorisë për arrestim për deputetit Mark Frroku sepse kërkohet për vrasje në Belgjik, reagon Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, ka akuzuar kryeministrin Rama se ka patur dijeni prej kohësh për kërkesën e autoriteteve belge, por qëllimisht e ka fshehur të vërtetën. Më poshtë deklarata e plotë e opozitës:

“Edi Rama lejoi dje zbulimin e të shkuarës së deputetit të tij Frroku, pasi i vuri kapak hetimit për aleatin e tij Meta, duke fshehur të vërtetën e duke mos lejuar proces të drejtë, të plotë e të paanshëm.

Kryeministri e ka ditur prej kohësh që Frroku ka probleme me drejtësinë belge, por e ka mbajtur në sirtar këtë kartë, për ta pasur deputetin nën kontroll.

Frroku ishte dëshmitari kyç në akuzën ndaj Ilir Metës, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe rezultoi se ai, dëshmoi pikërisht atë që dëshironte kryetari i parlamentit dhe kryeministri.

Kapja e dëshmitarit dhe ndërhyrjet e tjera brutale dhe sistematike në hetim, e futën procesin në hullinë e dëshiruar dhe të paracaktuar nga Rama dhe Meta.

Partia Demokratike e ka denoncuar me forcë që prej fillimit aleancën e Edi Ramës me krimin, përzgjedhjen prej tij dhe sjelljen në parlament të personave të inkriminuar.

Partia Demokratike dhe mediat e pavarura kanë folur për të shkuarën kriminale të deputetit Frroku dhe cëshjet e tij të hapura me drejtësinë belge.

Edi Rama refuzoi të mbante përgjegjësi, ndonëse ishte shumë mirë i informuar për të kaluarën e deputetëve të tij, i ka njohur mirë ata, dhe prandaj i përzgjodhi, për të blerë votat, për të vjedhur votat, për të shantazhuar votuesit.

Faktet e bëra publike sot vërtetojnë denoncimet e Partisë Demokratike për të shkuarën kriminale të deputetit Frroku.

Pas publikimit të këtyre fakteve shqiptarët pa dallim e shohin me sytë e tyre të vërtetetën tronditëse se Edi Rama është arkitekti i kësaj skeme të fshehjes së dosjes së Frrokut, të pazareve me të, dhe përdorimit të tij në manipulimin e procesit hetimor.

Në dritën e këtyre të vërtetave tashmë të konfirmuara zyrtarisht, Edi Rama është ekspozuar përfundimisht si njeriu, i cili ka bërë aleancë me krimin, ka firmosur me krimin, ka ardhur me krimin në pushtet, ka vendosur me krimin, po qeveris me krimin dhe me krimin po manipulon drejtësinë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani