sms_0
Punësimet me rekomandim të deputetëve nuk bëhen vetëm në dogana, tatime apo në arsim, siç rezulton nga disa dokumenta të siguruara dhe botuara javët e fundit nga lapsi.al. Partia në qendër duhet të të sugjerojë edhe nëse je bojaxhi. Provë e kesaj është një sms e dërguar nga zyra e PS –së në Vlorë. Sms në foton e mësipërme, e botuar nga gazeta Shqip, u është drejtuar deputetëve të Vlorës. Zyra Rajonale e PS u kërkon deputetëve të Vlorës të japin propozimet për një vend vakant për bojaxhi në Spitalin Rajonal të Vlorës. “Ju bëj me dije se në Spitalin Rajonal të Vlorës është shpall vakant pozicioni bojaxhi. Duhet të ketë përfunduar shkollën e mesme dhe të ketë eksperiencë në punë. Jeni të lutur të jepini propozimet së bashku me numrin e kontaktit brenda ditës së nesërme”, thuhet në sms –në drejtuar deputetëve të Vlorës. Besohet se kjo sms është dërguar edhe në celularin e kryeministrit Rama, i cili është kryesues i listës së deputetëve të qarkut të Vlorës. Pavarësisht faktit nëse është njoftuar apo jo kreu i qeverisë, kjo sms zbulon skemën se si bëhen punësimet në shtet. Ajo është provë se më parë drejtorët e administratës njoftojnë partitë politike dhe deputetët për vendet vakante. në vend që t’i shpallin ata siç e kërkon ligji.