download

Një nga provokimet më të flagrante që iu bë protestës së opozitës ishte ai i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kur mijëra qytetarë gjendeshin në shesh përpara kryeministrisë, Veliaj u shfaq në një aktivitet në periferi të qytetit dhe shprehu shqetësim për trafikun që bllokohej nga çadra e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”, deklaroi ai dy ditë më parë.

Shqetësimi i Erion Veliajt mund të ishte i besueshëm nëse me firmën e tij nuk do të ishin bllokuar më parë për shumë muaj dy akse të rëndësishëm të Tiranës

Ai e mbajti sheshin “Nënë Tereza” të mbyllur për muaj me radhë vetëm për të vendosur ca lojëra e kioska qoftesh e birrash. Ai e bllokoi pa paralajmërim sheshin “Skënderbej”, duke shkaktuar kaos në trafik, vetëm për t’i bërë makiazh qendrës së kryeqytetit.

Kur qytetarët shqetësoheshin për bllokimin e trafikut, Veliaj u bënte thirrje të përdornin biçikletat apo të ecnin në këmbë, sepse u bënte mirë për obezitetin (shih videon më poshtë në faqen e lapsi.al).

Ai madje dha shembullin personal teksa u premtoi qytetarëve të Tiranës se vetë do të shkonte me biçikletë në punë.

“Dua të falenderoj të gjithë qytetarët për durimin sepse Tirana është shtëpia jonë e madhe, kurse sheshi “Skënderbej” është dhoma jonë e ndenjes. Sigurisht, do të ketë pak “rrëmujë”, por që të gjithë do të kemi mirëkuptimin e nevojshëm. Unë si qytetar do të mundohem të jap kontributin tim. Do të vij më shpesh në punë me biçikletë. Fatmirësisht kemi shumë ditë me diell, ku do të na duhet që të gjithë të jemi pak më ekologjik, edhe të shëndetshëm për veten, por edhe të japim një ndihmë konkrete, duke evituar trafikun në qendër të Tiranës”, deklaronte ai më 7 shtator 2016.

“Ky shembull personal” në përdorimin e biçikletës ishte vetëm pedalimi i radhës për t’i dredhuar përgjegjësisë dhe për të kaluar situatën, pasi Veliaj s’është parë më të shkojë në punë me biçikletë.

Nëse do të besonte vërtet në ato që u thotë përditë qytetarëve të Tiranës, Erion Veliaj  mund ta përdorte këtë shembull edhe në rastin e bllokimit të bulevardit nga protestuesit e opozitës. Në këtë mënyrë do të vazhdonte të ruante edhe linjat, jo vetëm politikisht, por edhe fizikisht.