Shkrimtari Dritero Agolli, gjate festes se 79 vjetorit te lindjes se tij.
Patriarku i socialistëve dhe shkrimtari Dritero Agolli, ka një mendim të lartë për Berishën, së paku si lexues. Dhe këtë nuk nguron ta thotë me zë të lartë. Ja si e ka portretizuar ai ish kryeministrin në një intervistë të gjatë për “Shekulli”. “Sali Berishën e kam njohur shumë herët. Madje, në shtëpinë e tij në Viçidol, më është bërë një pritje tepër bujare, nga pritjet më të veçanta. Jam ndjerë shumë i vlerësuar nga mënyra se si i prisnin njerëzit në ato anë. Ndërsa personalisht për mua ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por edhe të autorëve të tjerë të asaj kohe, pa lexuar. Sa herë që e kam takuar, kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar. Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Edhe si mjek ka qenë i përkushtuar. Më është dhimbsur që e la profesionin e mjekut sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i përket politikës, ky është një kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është një politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal: Si mjek që ishte, duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit. Ndërsa lëshimi i stafetës ishte një hap i rëndësishëm për mua”.